Krerët e LDK-së takohen me ambasadorin Hovenier, diskutojnë për propozimin evropian

Prishtinë, 14 mars 2023 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe nëkryetarët Lutfi Haziri e Kujtim Shala, kanë pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet politikë ne vend dhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ai ka thënë se LDK e përkrah procesin e dialogut dhe mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.

“Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, ka shkruar ai.

Abdixhiku ka përsëritur qëndrimin e LDK-së se asnjë marrëveshje që nuk përqendrohet në njohjen e ndërsjellë midis Kosovës e Serbisë nuk garanton normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Ai ka treguar se nëtakim me ambasadorin Hovenier janë elaboruar preambular dhe dy neneve të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.

“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”, ka shkruar ai.

Kryetari i LDK-së ka shprehur përkushtimin e partisë që e udhëheq për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”, ka theksuar ai.

(r.m.)