Kreshnik Radoniqi emërohet kryetar i ri i KQZ-së në Kosovë

Prishtinë, 14 qershor 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka emëruar gjyqtarin Kreshnik Radoniqi kryetar të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas lirimit nga detyra të kryetares së deritashme, Valdete Daka.

“Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, në përputhje me kompetencat e saj ligjore, e ka emëruar gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, z. Kreshnik Radoniqi, kryesues të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas ndërprerjes së mandatit të kryesueses së deritanishme të KQZ-së, znj. Valdete Daka”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Presidentes Osmani.

“Z.Radoniqi cilësohet si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje. Emërimi i gjyqtarit z. Kreshnik Radoniqi si kryesues i ri i KQZ do të sigurojë që integritet i KQZ-së nuk dëmtohet më tutje dhe do të mundësojë mbarëvajtjen e organizimit të zgjedhjeve locale, bazuar në gjithëpërfshirjen e votuesve në ditën e zgjedhjeve brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

 “Presidentja Osmani i ka uruar punë të mbarë z. Radoniqi, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së integritetit të KQZ-së dhe funksionimit të tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet për zgjedhje”, thuhet më tutje në njoftim. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Krashnik-Radoniqi_Vjosa-Osmani-2.jpg

Kabineti i Presidentes Osmani shpjegon edhe arsyet që kanë çuar në shkarkimin e kryetares së detisotme të KQZ-së, Valdete Daka.

“Legjislacioni në fuqi parasheh se Presidentja është autoriteti kompetent për të emëruar Kryesuesen e KQZ-së, sikurse edhe për ndërprerje të mandatit të saj. Ndaj, Presidentja ka nxjerrë vendimin për lirimin nga detyra të znj. Valdete Daka, duke pasur në konsideratë vlerat demokratike të integruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe duke pasur parasysh se pavarësia dhe integriteti i KQZ-së ka një rëndësi vitale në zgjedhjet demokratike”, thuhet në njoftim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i pavarur kushtetues, dhe përgjegjësia për ta ruajtur pavarësinë e KQZ-së së pari është përgjegjësi e kryesuesit të Komisionit. Kryesuesi i KQZ-së nuk vjen nga radhët e partive politike, por emërimi i tij bëhet me një proces të veçantë, fakt ky i cili tregon se kryesuesi duhet të jetë i pavarur në veprimet e tij edhe kur brenda KQZ-së mund të ketë presione nga subjektet politike. Në procesin e fundit zgjedhor, KQZ ka qenë e polarizuar dhe mbledhjet e vendimmarrja janë shoqëruar me tensione si kurrë më pare”, thuhet në mëtutje në njoftimin e Zyrës së Presidentes.

“Kryesuesja e KQZ-së, në shumë raste, nuk ka arritur të jetë forcë e pavarur ndaj polarizimeve politike dhe që vendimmarrja e saj të drejtohet nga interesi i përgjithshëm publik, e që për rrjedhojë ka cenuar integritetin dhe besimin e qytetarëve ndaj KQZ-së. Presidentja Osmani vlerëson se veprimet e kryesueses së KQZ-së nuk duhet të jenë shkak për humbjen e besimit qytetar ndaj institucionit, në veçanti pasi sivjet do të mbahen zgjedhjet lokale”, thuhet në njoftim.

 (r.m.)