Krijohet kriptovaluta kosovare “KosovaCoin”

Prishtinë, 25 maj 2021 – Një monedhë “kosovare” i është shtuar tregut botërore të kriprovalutave, pak kohë më parë. Emri i saj, “KosovaCoin”, e bën lehtë atë të identifikueshme si valutë “kosovare”.

Krijuesi dhe shefi ekzekutiv i “Kosovacoin”, Artit Muhaxhiri, në një intervistë për Klankosova.tv, ka folur rreth procesit të krijimit të kësaj monedhe virtuale dhe investitorëve të saj.

“Krijimi i “KosovaCoin” ka nisur gjatë kohës sa isha duke përcjellë kriptovalutat tjera, kur pashë se kishte shqiptarë të interesuar për to. Atëherë më lindi ideja që të krijoj një kriptovalutë shqiptare, ku investitorët e parë do të ishin shqiptarë. Në këtë mënyrë ata do të fitonin më së shumti dhe gjithashtu emri i Kosovës do të njihej anembanë botës e edhe në botën e kriptovalutave”, ka thënë Muhaxhiri.

“Krijimi mori dy muaj kohë deri në finalizimin e gjithë projektit ndërsa procesi i krijimit ka qenë mjaftë i komplikuar, pasi krijimi i kodeve merr shumë kohë”, kashpejuar ai .

Muhaxhiri ka bërë të ditur se mbi 50 persona kanë investuar në “KosovaCoin” deri tani, ndërsa vlera e “thesarit” tëkësaj valute ka arritur në 12 mijë e 203 dollarë.

“Deri tani kanë investuar rreth 55 persona. Vlera e një ‘KosovaCoin’ është $0.0000000000127136, teksa vlera e marketit është 12 mijë e 203 dollarë”, ka thënë  Muhaxhiri.

Ai ka treguar se për vetëm katër ditë, kur kishte 30 investitorë, çmimi i “KosovaCoin” është ngritur 400 për qind, gjë që i bën optimist investitorët.

“Pritshmëritë tona janë shumë të larta pasi për vetëm katër ditë ne arritëm që me 30 mbajtës ta ngrisim çmimin lartë për 400 për qind dhe tani presim që çmimi t’i kalojë së paku pesë zero”,është shprehur ai.

Muhaxhiri  katreguar se pjesë e “KosovaCoin” janë edhe katër persona që kontribuojnë në mirëmbajtjen dhe ngritjen e saj sa më lartë në treg.

“Deri më tani jemi katër persona që merremi më së shumti me këtë. Por kjo kriptovalutë do të jetë e komunitetit – që do të thotë se do të ketë shumë mbajtës të saj dhe do të rritet nga vet komuniteti”, tha Muhaxhiri.

Krijuesi i “KosovaCoin” tha se janë të lumtur që kanë hasur në mbështetjen e shqiptarëve anembanë botës dhe se duan që rritja e kësaj kriptovalute të bëhet në fillim me shqiptarë e pastaj me njerëz të tjerë.

(r.m.)