Krim monstruoz në Prishtinë, një 11-vjeçare dhunohet seksualisht nga pesë persona

Prishtinë, 29 gusht 2022 – Policia dhe Prokuroria e Prishtinës njoftuan të shtunën se një krim i rëndë ka ndodhur në Prishtinë të shtunën, më 27 gusht.  Një vajzë 11 vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga pesë persona.

Katër nga të dyshuarit janë arrestuar nga policia, kurse i pesti është identifikuar, por gjendet ende në arrati.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se krimi ka ndodhur një park të kryeqytetit.

“Në një park të kryeqytetit një vajzë e re 11-vjeçare, derisa ishte duke ecur, ishte ndaluar e pastaj ishte dhunuar seksualisht nga disa persona”, thuhet në dosjen e prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas prokurorisë, tre prej të dyshuarve i janë afruar të miturës dhe e kanë ngacmuar me fjalë, ndërsa njëri prej tyre ka filluar ta prekë me duar në pjesën e barkut dhe fundshpinës. Më pas të dyshuarit ia kanë hequr rrobat të miturës, dhe pasi e kanë zhveshur njëri nga të dyshuarit ia ka mbajtuar viktimës duart dhe ia kambyllur gojën, ndërsa një tjetër e ka dhunuar seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë, e mitura është dhunuar më pas seksualisht edhe nga personi që ia kishte mbajtuar duart dhe ia kishte mbyllur gojën.

Pasi është dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima është ndalur edhe nga një person tjetër, i cili e ka futur me dhunë në veturë, ku kanë qenë edhe tre persona të tjerë, dhe e ka dërguar në një vend tjetër në nëtyrë, ku është dhunuar sërish seksualisht.

Policia ka bërë të ditur se ky krim makabër është raportuar nga nëna e viktimës dhe se viktima, pasi është intervistuar, është dërguar në një strehimore të sigurtë.

Nuk është raportuar për gjendja fizike dhe psikike të viktimës.

Institucionet më të larta shtetërore dhe shoqëria civile e kanë dënuar ashpër këtë krim të rëndë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se autorët e këtij krimi, të cilin ajo e ka cilësiar si “akt çnjerëzor”, duhet të marrin dënimin më të rëndë.

“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.

Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.

Dhunimi seksual, sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave, përbën kërcënim për të gjithë dhe shpërfaq një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra’, ka shkruar presidentja Osmani.

Ajo ka thënë se dënimet e ulëta të krimeve ndaj vajzave dhe grave i kanë inkurajuar dhunuesit, ndërsa organeve të drejtësisë u ka bërë thirrje të eleminojnë pabarazinë gjinore në vendimet gjyqësore,

“Për fat të keq, në raste të caktuara, për vite me rradhë, mostrajtimi i barabartë i jetës së grave dhe i asaj të burrave, fajësimi i viktimës e jo i dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj, vetëmsa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve.

Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kryesit duhet të marrin dënimin e merituar dhe ka theksuar se dhuna ndaj fëmijëve dhe grave duhet të trajtohet me seriozitet të lartë nga të gjitha institucionet.

“Dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare

Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryrësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme.

Akte të këtilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve, duhet të trajtohen me seriozitet të lartë, në nivel institucional, por dhe në atë shoqëror e kulturor.

Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se viktima duket të marrë gjithë përkrahjen e nevojshme për rehabilitim të plotë.

“Vajza e mitur duhet të marrë përkrahje institucionale dhe shoqërore, përkujdesje maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike. Nuk duhet lejuar që asaj t’i vidhet fëmijëria e t’i rrënohet jeta. As asaj, e asnjë vajze tjetër.

Na duhet angazhim maksimal i të gjitha institucioneve, si dhe çdo njërit nga ne, për të çuar përpara përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën në bazë gjinore. Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç dhe i të gjithëve së bashku”, ka shkruar Kurti.

Ky krim monstruoz është dënuar ashpër edhe nga udhëheqës e përfaqësue stë institucioneve të ndryshme shtetërore e publike dhe nga shoqëria civile.

Rasti ka nxitur në publik edhe debate lidhur me shkallën e dënimeve për krime të kësaj natyre e për krime të ngjashme ndaj fëmijëve dhe grave. Në rrjetet sociale janë publikuar edhe thirrje për kthimin e dënimit me vdekje për autorët e krimeve të rënda ndaj fëmijëve e të miturve.

Disa organizata të shoqërisë civile kanë ftuar për të martën një protestë kundër dhunës ndaj fëmijëve dhe të miturve. 

(r.m.)