Kriza në kufirin jugor – Çfarë është neni 42 dhe pse është i rëndësishëm?

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

“Neni 42” është emri jozyrtar i urdhëresës së lëshuar nga qendra e kontrollit dhe parandalimit të sëmundjeve infektive “CDC”,  e cila ngre pengesa për të hyrë në SHBA si dhe lejon dëbimin e kujtdo në kufirin jugor, që “përbën rrezik serioz për të sjellë në SHBA-së një sëmundje (ngjitëse)”. Ky nen nuk prek grupe të mëdha njerëzish mes të cilëve nënshtetasit amerikanë, personat me statusin e banorit të ligjshëm të përhershëm si dhe ata që janë të pajisur me dokumenta të rregullt udhëtimi. Ai prek ata persona që kërkojnë strehim politik në Shtetet e Bashkuara. 

Neni 42 ka hyrë në fuqi që prej 20 marsit, 2020 dhe ishte vendosur të mbetej në fuqi deri më 23 maj, 2022. Mirëpo, ka ende çështje gjyqësore – të mbetura pezull – të cilat kërkojnë që ky nen të mbetet në fuqi. Në një kohë kur, gjatë kohës së administratës së presidentit Trump, mijëra minorenë të pashoqëruar u nxorrën jashtë, që prej 21 janarit, 2021 kjo kategori e minorenëve të pashoqëruar nuk preket më nga neni 42.

Neni 42 vihet në zbatim ndaj azilkërkuesve në kufirin jugor, nëpërmjet dy mekanizmave: 1) “kthimi mbrapsht” i azilkërkuesve përpara se të shkelin tokën amerikane; dhe 2) “dëbimi” i azilkërkuesve pasi kanë shkelur tokën amerikane. Të dyja metodat zyrtarisht veprojnë ndaj azilkërkuesve që hyjnë nga kufiri jugor. Megjithatë ka disa përjashtime në zbatimin e nenit 42 që kanë të bëjnë me kombësinë, përbërjen familjare, vendndodhjen gjeografike në momentin e kalimit të kufirit si dhe deri në një farë mase, me fatin dhe rastësinë. 

“Kthimet mbrapsht” sipas nenit 42 prekin të gjitha kombësitë në të gjitha pikat kufitare jugore (POE). Kjo ndodh kur një migrant i afrohet një POE-je zyrtare në kufirin jugor dhe i shpreh frikën dhe/ose dëshirën për të kërkuar strehim politik zyrtarit që punon për agjencinë e Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP),  ndërkohë që ende gjendet në tokën meksikane. Në shumicën dërrmuese të rasteve, oficeri i CBP-së ia refuzon azilkërkuesit lejen për të shkelur në tokën e SHBA-së dhe i thotë diçka si: “kufiri është mbyllur”. Kështu, azilkërkuesi, përpara se të mund të shkelë tokën amerikane,“kthehet mbrapsht” dhe nuk lejohet të kërkojë mbrojtje në SHBA. 

Edhe pse zyrtarët e CBP-së në pikat kufitare, gëzojnë kompetenca diskrecionale, që për arsye humanitare, të mos zbatojnë nenin 42 ndaj disa individëve azilkërkues, në praktikë, kjo ndodh tepër rrallë. Përkundrazi, mënyra e vetme që dikush të lejohet të kërkojë azil në pikën hyrëse kufitare është të kërkojë paraprakisht të “falet” nga neni 42, kërkesë kjo që mund të bëhet nëpërmjet një organizate jofitimprurëse dhe/ose avokatit. Çdo pikë hyrëse kufitare i trajton në mënyra të ndryshme mundësitë për përjashtime nga zbatimi i nenit 42 dhe procedurat në fuqi ndryshojnë shpejt dhe pa paralajmërim.

Neni 42 “dëbimet” 

“Kthimet mbrapsht” sipas nenit 42 u bëhen azilkërkuesve që nuk kanë prekur ende tokën amerikane, kurse “dëbimet” sipas nenit 42 ndodhin kur një azilkërkues kapet në tokën amerikane (zakonisht pasi ka kaluar pikën hyrëse kufitare). Dëbimi nuk përbën ligjërisht një urdhër largimi dhe as një largim vullnetar; si i tillë, dëbimi nuk vjen me pasoja afatgjata lidhur me mundësinë për t’u “pranuar” në tokën amerikanë. Dëbimet janë të tilla që ndodhin shpejt dhe zakonisht nënkuptojnë marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografimin e personit. Personave që dëbohen nuk u jepet ai që quhet numri “A”. Personat që i nënshtrohen nenit 42 nuk kanë të drejtë të kërkojnë strehim politik, por nëse shprehin frikë se në rast dëbimi, mund t’i torturojnë në vendin nga kanë ardhur, atëherë mund të kërkojnë mbrojtje siç parashikon “Konventa Kundër Torturës” (CAT). Familjet me fëmijë të mitur presupozohet të pyeten nga zyrtarët e CBP-së, nëse kanë ose jo frikë dhe nëse gjykohet e nevojshme, t’u jepet mundësia për t’u marrë në pyetje siç parashikon CAT-i, përpara se të dëbohen. 

Që të mund të dëbohet sipas nenit 42, migranti ose duhet të jetë nënshtetas i një vendi që i pranon të dëbuarit nga SHBA-ja ose nënshtetas i një vendi, të cilin mund ta pranojë Meksika gjithnjë në përputhje me nenin 42. Kështu pra, kombësitë që preken nga neni 42 variojnë në varësi të marrëdhënieve diplomatike si dhe përparësive të DHS-së.

Për shembull, që kur u krijua neni 42, Meksika ka pranuar meksikanët, guatemalanët dhe hondurasit e dëbuar, si dhe personat me nënshtetësi tjetër që gjithashtu kanë status të ligjshëm në Meksikë, sidomos ata që kanë statusin e banorit të ligjshëm të përhershëm. Më 22 tetor, 2022 Meksika filloi të pranojë dhe venezuelasit e dëbuar sipas nenit 42. Dëbime të tjera sipas nenit 42 janë bërë direkt me avion duke i kthyer azilkërkuesit në vendet nga kanë ardhur. Në një kohë kur vendet që pranojnë avionët me të dëbuar sipas nenit 42, nuk kanë qenë gjatë gjithë kohës të njëjta, avionët me këta të dëbuar kanë patur më shpesh si destinacione vende si Haiti, Kolombia, Brazili, Ekuadori, Nikaragua, El Salvadori, Guatemala dhe Hondurasi. 

Persona të disa kombësive të caktuara që arrijnë të futen në tokën amerikane, nuk preken nga neni 42. Si të tillë, azilkërkuesve me kombësi që nuk preken nga dëbimet sipas nenit 42 përgjithësisht u lejohet të kërkojnë strehim politik në SHBA dhe, ose mbahen në paraburgim nga ICE, ose lirohen me kusht për ta ndjekur çështjen brenda territorit amerikan. Së fundi, jo të gjithë azilkërkuesit që vijnë nga vende që preken nga neni 42, dëbohen nga SHBA-ja. Kjo për shkak të kufizimeve në numrin e dëbimeve në ditë, kombësive të përziera që kanë familjet, kufizimeve logjistike, përjashtimeve për arsye humanitare  si dhe faktorëve të tjerë.

Azilkërkuesit nga vende që nuk janë subjekt dëbimesh sipas nenit 42, po përdorin strategji “të zgjuara” për të kërkuar strehim politik në SHBA, pasi pikat hyrëse kufitare janë mbyllur efektivisht për të gjithë azilkërkuesit. Këtu futen dhe hyrjet nga pika tokësore që gjenden ndërmjet POE-ve – shpesh gjatë ditës – me synimin për “t’u dorëzuar vetë” dhe për t’i kërkuar zyrtarëve të pikave kufitare, strehim politik. 

Pavarësisht se lindi si mjet për t’u vënë në shërbim të shëndetit publik, tashmë është e qartë se kjo premisë fillestare nuk ka më kuptim. Duket se neni 42 nuk do të vazhdojë gjatë. Por edhe pasi këtij programi t’i vijë fundi, implikimet e kësaj politikë kufitare për aq sa zgjati, mund të vazhdojnë të lënë pasoja për migrantët që vijnë nga kufiri jugor, edhe në dekadat në vazhdim.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]