Kroatët druhen nga pasojat e anëtarësimit në BE

Një vit pasi Kroacia u pranua në Bashkimin Evropian, qytetarët e saj druhen se gjendja e tyre ekonomike do të keqësohet
Janarin e kaluar, kroatët e pritën me entuziazëm anëtarësimin e vendit të tyre në Bashkimin Evropian. Por një vit më pas, disa kroatë që jetojnë në kufirin mes Bosnjes dhe Kroacisë shqetësohen se çmimet do të rriten dhe të ardhurat familjare do të tkurren në Kroaci.

Kroatët që jetojnë pranë kufirit me Bosnjen druhen se në vend që të shtojë mirëqenien, anëtarësimi i vendit të tyre në Bashkimin Evropian, do të pakësojë buxhetin e familjeve të tyre.

Lumi Sava është kufiri natyror mes Bosnjës dhe Kroacisë, por në këtë zonë e ndan komunitetin urban në dy pjesë. Në njërin nga brigjet është qyteti kroat Slavonski Brod ndërsa nga ana tjetër është Bosanski Brod në Bosnje.

Shpesh, qindra kroatë shkojnë me biçikleta ose makina për të bërë Pazar në Bosnje. Disa madje ecin në këmbë përtej kufirit për të blerë një shishe qumësht, apo një paketë cigare.

Kroatët nga Slavonski Brod kanë përvojë si blerës përtej kufirit, sepse për mbi një dekadë kanë blerë në Bosnje pjesën më të madhe të artikujve shtëpiakë.

Çmimet në Bosnje janë më të ulëta, në disa raste deri në 30 për qind më të ulëta.

“Unë vij këtu të paktën një herë në javë, sepse ia vlen”, thotë Nada Strmotic nga Slavonski Brod.

Ajo thotë se e kishin paralajmëruar se nuk mund të sillte vezë nga Bosnja në Kroaci, por shton duke qeshur se nëse nuk ka alternativë tjetër, i fut vezët kontrabandë në Kroaci.

Por shumë shpejt blerësit nga Kroacia mund të mos ta kenë më një mundësi të tillë. Zonja Strmotic dhe shumë të tjerë nga Slavonski Brod druhen se kalimi i kufirit mund të mos jetë aq i lehtë kur Kroacia të bëhet zyrtarisht vendi i 28-të i Bashkimit Evropian, më 1 korrik. Policia ka filluar ndërkohë të kontrollojë çantat dhe biçikletat. Policia kufitare kroate thotë se është e gatshme të ndjekë zbatimin e rregullave të Bashkimit Evropian për kufijtë.

“Policia është e gatshme të respektojë kërkesat e lidhura me anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian”, thotë komandanti i policisë kufitare kroate Zoran Basic.

Zyrtarët e doganave thonë se blerja e ushqimeve përtej lumit në Bosnje do të bëhet shumë e vështirë sepse policia do të kontrollojë cilësinë dhe standardin e ushqimit.

Sjellja e ushqimeve nga Bosnja në Kroaci bëhet e vështirë sepse Bosnja nuk ka një mekanizëm që të vërtetojë që artikujt që shet plotësojnë standardet tregëtare të Bashkimit Evropian.

Kroacia po ashtu do të humbë privilegjet e lidhura me marrëveshjen e tregëtisë së lirë mes vendeve jo anëtare të Bashkimit Evropian në Evropë, që është tregu kryesor i eksportit për të dhe prodhuesit vendas do të përballen me konkurrencë nga mallra më të lira evropiane që do të hyjnë lirisht në tregun e Kroacisë.

Ekspertët në Kroaci bien dakord se në fillim mund të duket se anëtarësimi në BE do të ketë pasoja negative por në perspektivën afatgjatë, avantazhet do të jenë më të shumta se dizavantazhet.

“Sigurisht, qytetarët e vendit dhe ekonomia kanë filluar të përballen me rritjen e çmimeve, pjesërisht e lidhur me anëtarësimim në Bashkimin Evropian”, thotë një nga ekspertët kryesorë për ekonominë në Kroaci.

Megjithëse shumica e kroatëve e mbështeti anëtarësimin në BE përmes një referendumi, disa e kanë vënë në diskutim këtë vendim, nga frika se standardi i jetesës për ta do të vihet në rrezik.

Dhe për shumë banorë në kufirin e ri të Evropës, anëtarësimi do të thotë shkëputje nga lidhjet kulturore, historike dhe ekonomike që lidhin Slavonski Brodin me Bosanski Brodin. (VOA)