Kryeministri Albin Kurti takoi komunitetin shqiptar në Staten Island



Nga Beqir SINA- New York

Qëllimi kryesor i ardhjes së Kryeministrit Albin Kurti në Amerik, ashtu si dhe ai ka pohuar ai vetë në të gjitha takimet kishte  të bëjë me takime të ndryshme me institucionet shtetërore amerikane, senatorë e kongresistë, anëtarë të qeverisë amerikane dhe personalitete me ndikim në Washington. 

Këto takime dhe vizita ishin për të marrë edhe një “garanci” për  një mbështetje tjeter në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës, duke shfrytëzuar po ashtu këtë vizitë edhe për takime me kompani prestigjoze dhe lidere botërore të teknologjisë bashkëkohore për investime në Kosovë . 

Mirëpo edhe pse agjenda e Kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti nga bregdeti perendimor në bregdetin lindor ka qenë shumë e ngjeshur, ai gjeti kohë për të takuar pothuajse të gjitha shoqatat e organizatat e komunitetit shqiptar në SHBA. 

Gjatë ditës, së sotme e cila shënon dhe fundin e kësaj vizite 16 ditore kryeministri Kurti në kuadër të takimeve me shoqatat shqiptare me origjin nga vendlindja e tyre në ishullin Staten Island – New York ai mori pjesë edhe në organizimin tjetër mes shoqatave  të mërgatës, ku u takua dhe zhvilloi bisedë me përfaqësues të këtyre shoqatave nga Maqedonia, Mali i Zi,  dhe mërgimtarë nga Kosova në New York.

Për Albin Kurtin, por edhe kjo ishte hera e parë që një kryeministër shqiptar që viziton komunitetin shqiptar në qytetin e Staten Island NY ku zoti Kurti shfrytëzoi rastin që të flasë para shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, duke theksuar rëndësinë e diasporës, mbrojtjen dhe kultuvimi i gjuhës, si dhe pika të tjera.

Në Staten Island  – New York, Kryeministri i Republikës së Kosovës u prit  mjaft ngrohtësisht ashtu si në çdo vizitë e takime me shqiptarët e Amerikës , lider të komunitetit, veprimtar të dalluar dhe të sukseshëm si  dhe nga përfaqësues të organizatave të mërgatës sonë, me të cilët diskutoi për sfidat dhe mundësitë e organizimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kuadër të një programi të kësaj qeveris të quajtur : “Dialogut me mërgatën”.

Takimi në Staten Island u organizua në bashkëpunim mes katër shoqatave dhe Senatores së shtetit  Diane Savino , zyrës së qytetit Staten Island Borough: Shoqatës Atdhetare Dibra, ( Dashnor Miftari) Shoqatës Ana e Malit (Safet Llolla), Shoqatës Kraja (Samih Kanaqi) dhe Shoqatës së Ulqinit (Xhemo Lanica) dhe u moderua nga Kryetari i Shoqatës Atdhetare Dibra Dashnor Miftari.

Gjatë këtij takimi, ashtu si dhe në takimet e tjera me komunitetin shqiptar kryeministri Kurti fillimisht prezantoi punën, prioritetet dhe sfidat e deritanishme të qeverisjes dhe i njoftoi për vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila përveç tërheqjes së investimeve dhe sigurisë kombëtare, në fokus kishte edhe mobilizimin e mërgatës si pjesë integrale e rrugëtimit drejt zhvillimit ekonomik. 

Ky takim ishte  një bashkëbisedim të hapur, i kryeministrit Kurti që po ashtu ai iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve rreth strategjisë së qeverisë për mërgatën dhe angazhimit të tyre në qëllimet edhe nevojat e institucioneve të vendit tonë.