Kryeministri i Irakut i mbijeton një atentati

Bagdad, 7 nëntor 2021 – Kryeministri i Irakut, Mustafa al-Kadhimi, i mbijetoi një atentati me dron, që vuri në shënjestër rezidencën e tij, të dielën herët në mëngjes. Autoritetet thanë se Kadhimi doli i padëmtuar nga ky sulm që paraqet një përshkallëzim të tensioneve të nxitura nga refuzimi i milicive të mbështetura nga Irani, për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të muajit të kaluar.

Dy zyrtarë irakianë i thanë agjencisë së lajmeve Associated Press se shtatë nga rojat e sigurisë së kryeministrit al-Kadhimi u plagosën në sulmin me dy dronë të armatosur, që ndodhi në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit. Ata folën në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të japin deklarata zyrtare.

“Unë jam mirë dhe në mesin e njerëzve të mi. Falë Zotit”, shkroi kryeministri në Twitter menjëherë pas sulmit. Ai bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje, “për hir të Irakut”.

Më vonë ai u shfaq në televizionin irakian, i ulur pas një tryeze dhe veshur me një këmishë të bardhë, në dukje i qetë. “Sulmet qyqare me raketa dhe dronë nuk ndërtojnë atdhe dhe nuk ndërtojnë një të ardhme”, tha ai.

Qeveria tha në një deklaratë, se një dron i ngarkuar me eksploziv u përpoq të godiste shtëpinë e al-Kadhimit. Banorët e Bagdadit dëgjuan një shpërthim të pasuar me të shtëna të forta armësh nga Zona e Gjelbër, ku ndodhen ambasadat e huaja dhe zyrat qeveritare.

Nuk pati asnjë pretendim të menjëhershëm të përgjegjësisë për sulmin, që ndodhi në mes të një përplasjeje midis forcave të sigurisë dhe milicive shiite pro-iraniane, mbështetësit e të cilëve kanë qëndruar jashtë Zonës së Gjelbër për gati një muaj, pasi refuzuan rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të Irakut, në të cilat humbën rreth dy të tretat e vendeve në parlament.

Protestat u shndërruan në trazira vdekjeprurëse të premten kur demonstruesit u përpoqën të hynin në Zonën e Gjelbër. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba. Pati një shkëmbim zjarri në të cilin u vra një protestues i lidhur me milicitë. Dhjetëra pjesëtarë fë forcave të sigurisë u plagosën. Kryeministri Al-Khadimi urdhëroi një hetim për të përcaktuar se çfarë shkaktoi përleshjet dhe kush i shkeli urdhrat për të mos hapur zjarr.

Disa nga udhëheqësit e fraksioneve më të fuqishme të milicisë besnike ndaj Iranit fajësuan hapur kryeministrin al-Kadhimi për përleshjet e së premtes dhe vdekjen e protestuesit.

Al-Kadhimi, 54 vjeç, ishte shef i Shërbimit të zbulimit irakian përpara se të bëhej kryeministër në maj të vitit të kaluar. Ai konsiderohet nga milicitë si i afërt me Shtetet e Bashkuara dhe është përpjekur të balancojë aleancat e Irakut si me SHBA-në ashtu edhe me Iranin. Para zgjedhjeve, ai ishte mikpritës i disa raunde bisedimesh midis armiqve rajonalë, Iranit dhe Arabisë Saudite në Bagdad, në një përpjekje për të ulur tensionet.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*