Kryeministri Kurti pritet nga Guvernatorja e Iowas, diskutohet për zgjerimin e bashkëpunimit

Iowa, 13 maj 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në SHBA, ka zhvilluar një takim me guvernatoren e Iowas, zonjën Kim Rejnolds.

Kabineti i kryeministrit Kurti njoftoi se në takim është diskutuar “për krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, për rritjen e investimeve, ngritjen e kapaciteteve njerëzore, shfrytëzimin e potencialit natyror si dhe për promovimin e vlerave të përbashkëta të të dyja vendeve”.

Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova është factor stabiliteti në rajon.

“Kosova është faktor stabiliteti në rajon dhe se do te vazhdojë të jetë kontribuese për sigurinë në rajon dhe botë, në mbrojtje të paqes dhe vlerave demokratike, përkrah aleatëve, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, citohet ai.

Në njoftim thuhet gjithashtu se të dy palët vlerësuan bashkëpunimin mes Gardës Kombëtare tëIowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në veçanti u vlerësua partneriteti në mes të Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe qëllimi afatgjatë për zhvillimin e ngritjen e mëtejme të saj dhe përafrimin e kushteve për anëtarësim në NATO”, thuhet në njoftim.

Në takim ka marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

(r.m.)