Kryeministri Kurti viziton dy familje serbe në komunën e Istogut

Prishtinë, 7 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, vizituan të martën familjet Miletiq dhe Komatoviq, në fshatrat Drejë dhe Zhaç të komunës së Istogut.

Zyra e kryeministrit njofton se anëtarët e këtyre dy familjeve e pritën miqësisht kryeministrin Kurti me të cilin biseduan për jetën e përditshme, për bashkëjetesën me shqiptarët dhe për nevojat e fshatit.

“Petko Miletiq bashkë me fëmijët e tij merren me bujqësi. Kryeministri dhe ministri Rashiq u njoftuan për punën që e bën kjo familje kryesisht në mbledhjen e kumbullave dhe përpunimin e tyre.

Slavisha Komatoviq, përfitues i subvencioneve në Bujqësi, u shpreh falënderues për mbështetjen e shtuar të qeverisë ndaj kulturave bujqësore”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit Kurti.

“Duke i falënderuar për bisedën dhe mirëpritjen, kryeministri Kurti i njoftoi për politikat sociale që po zbaton Qeveria dhe për planet e lansimit të masës tjetër të punësimit që mbështet bizneset që angazhojnë punëtorë nga komuniteti jo shumicë”, thuhet në njoftim.

(r.m.)