Kryeministri polak sugjeron se kriza në kufi mund të jetë e udhëzuar nga Kremlini

Vilnius (Lituani), 22 nëntor 2021 – Kryeministri polak Mateusz Morawiecki po zhvillon të dielën vizita në shtetet baltike, dy prej të cilave kanë gjithashtu kufi të përbashkët me Bjellorusinë, për të diskutuar konfliktin e emigrantëve që ai thotë se është i drejtuar ndoshta nga Kremlini. Kryeministri polak ka njoftuar se do të vizitojë në vazhdim edhe kryeqytete të tjera të BE-së. Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke sjellë emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, dhe duke i afruar pranë kufirit me premtimin për një kalim të lehtë drejt Bashkimit Evropian.

Duke folur përkrah kryeministres së Lituanisë, Ingrida Simonyte në Vilnius, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki sugjeroi se Rusia po drejtonte veprimet e Bjellorusisë në krizën e emigrantëve dhe paralajmëroi se tensionet e fundit ishin vetëm fillimi i një problemi më të madh.

“Fatkeqësisht, ky është vetëm fillimi i një krize më të gjatë të shkaktuar nga regjimi i Lukashenkos, e udhëzuar ndoshta nga Kremlini… Ky nuk është një konflikt vetëm me Poloninë, apo në mënyrë artificiale me Lituaninë, por është një përpjekje për të shkelur kufirin lindor të NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha ai.

Kryeministri Morawiecki tha gjithashtu se Polonia ishte në dijeni se zyrtarët rusë dhe bjellorusë kishin kontakte me Uzbekistanin dhe Afganistanin.

“Me shumë gjasa, do të ketë një përpjekje për ta përdorur krizën në Afganistan si një tjetër valë të krizës së emigracionit”, tha kryeministri polak.

Zoti Morawiecki po zhvillon një seri bisedimesh në Evropë në lidhje me presionin e krijuar nga emigrantët në kufirin e Bashkimit Evropian me Bjellorusinë.

Ai u takua të dielën me homologët e tij nga tre vende anëtare të BE-së, Lituania, Letonia dhe Estonia, të cilat gjithashtu janë vendosur nën presionin e emigrantëve gjatë muajve të fundit, megjithëse në një shkallë më të vogël.

Bashkimi Evropian ka akuzuar udhëheqësin e Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko se po përdor emigrantët për të destabilizuar BE-në, në formë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj regjimit të tij autoritar.

Bjellorusia mohon se ka krijuar krizën.

Polonia po i refuzon emigrantët, duke thënë se po mbron kufirin për të gjithë Evropën.

Ajo ka marrë mbështetje nga Bashkimi Evropian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*