Kryesia e LDK-së është pro pjesëmarrjes në seancën e votimit për President

Prishtinë, 29 mars 2021 – Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) është pro pjesëmarrjes së deputetëve të kësaj partie në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri, i ka njoftuar mediet se kryesia e partisë është pro pjesëmarrjes së deputetëve të LDK-së në procesin e votimit për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

”Roli ynë në kuvend është pjesëmarrja ose mospjesmarrja. Qëndrimi ynë do të jetë në bazë të frymës kushtetuese që të plotësohet krijimi i institucioneve”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka thënë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të takohet të martën me grupin e deputetëve të kësaj partie për ta njoftuar me këtë qëndrim të kryesisë.

“Kryetari i LDK-së nesër do te takohet me grupin e deputetëve për të vazhduar diskutimet”, ka thënë ai.

“Do të vendoset që të mos ketë obstruksione ndaj procesit të konsolidimit institucional dhe të krijohet frymë për progres në vend”, ka shtuar ai.

Haziri ka thënë se nuk ka arsye për ndonjë takim tjetër me kandidaten për president, Vjosa Osmanin.

“Ne e kemi shterur nevojën dhe arsyet për t’u takuar“, ka thënë ai.

“Nesër shihemi në angazhime të tjera dhe besoj se shumë shpejt gjithcka do të jetë e qartë“, është shprehur nënkryetari i LDK-së.

LDK i ka 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Në qoftë se ata marrin pjesë në procesin e votimit, bashkë me 67 deputetët që e kanë votuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, krijohen kushtet për votim të plotëfuqishëm në raundin e tretë të votimit.

PDK është shprehur kategorike kundër pjesëmarrjes në procesin e votimit për kandidaturën e zonjës Osmani, ndërsa AAK-ja nuk ka shprehur ende qëndrim të qartë lidhur me këtë çështje.

Lista Serbe nuk është deklaruar fare lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, por ajo pritet ta bojkotojë procesin e votimit.

(r.m.)

Comment

*