Kryesia e PD-së do të diskutojë për kërkesën e mbështetësve të Berishës

Tiranë, 14 nëntor 2021 – Kryesia e Partisë Demokratike do të mblidhet nesër (e martë), për herë të parë pas dorëzimit të kërkesës së mbështetësve t ëish-kryeministrit Sali Berisha për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit të partisë.

Sekretari i PD-së, Gazment Bardhi, në një njoftim drejtuar anëtarëve të kryesisë, bën të ditur se në këtë mbledhje do të diskutohet dhe do të merret vendim lidhur me kërkesën e mbështetësve të Berishës, ndonëse kjo nuk thuhet shprehimisht.

“Diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”, thuhet në njoftim.

Në fillim të javës, kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, iu dorëzua kërkesa që Kuvendi i PD-së të mbahet më 11 dhjetor, e nënshkruar nga 4200 delegatë.

Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, ka vënë në pikëpyetje numrin  e nënshkruesve të kërkesës. Sipas tij, ky është “një blof i madh” i Berishës, sepse ai nuk ka arritur të mbledhë firmat e 1/4 të delegatëve të Kuvendit.

NJOFTIMI I BARDHIT:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë,

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 45 të Statutit të PDSH, nesër, datë 15.11.2021, ora 16:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me rend dite:

“Diskutime dhe vendimmarje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj”.

Mbledhja do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Grupit, Kati i II, Selia Qendrore e PDSH.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

 

Sekretari i Përgjithshëm

Gazment Bardhi

(r.m.)