Kryesia e PD-së e hap garën për kryetar të ri të partisë

Tiranë, 16 maj 2021 – Në Partinë Demokratike të Shqipërisë është hapur gara për kryetar të ri. Zgjedhjet do të mbahen më 13 qershor, sipas parimit një anëtar një vote, raporton Zëri i Amerikës.

Ky vendium është marrë të dielën në mbrëmje nga kryesia e partisë, ku mësohet se ka pasur debat mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të kryetarit aktual, Lulzim Basha.

Vetë Basha, i cili ka zhvilluar gjatë javës së fundit një tur në bazën e PD-së, ka përsëritur se zgjedhjet e 25  prillit kanë qenë “masakër elektorale”, duke hequr përgjegjësitë e tij për rezultatin e PD-së.

“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prilllin, epse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizimit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizimit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë”, mësohet të ketë thënë Basha.

Por, Fatbardh Kadilli, i cili ka kërkuar largimin e zotit Basha dhe shpalli ambicien për të kandiduar për drejtimin e partisë, e ka drejtuar gishtin e përgjegjësisë drejt Bashës.

“Nuk dhe shpresë. Nuk ngjalle besim. Nuk bashkove flukset, profilet, kontributet, por ndave. Kanë dalë më shumë parti nga P-ja, në vitet që drejton ti, se në 20 vitet para teje. Drejtove çdo gjë vetëm dhe pa forume, pa përfshirë askënd” mësohet të ketë thënë Kadilli.

Ai e ka kritikuar Bashën edhe turin e ndërmarrë gjatë javës së fundit me bazën e PD-së.

“Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lart e poshtë në parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte”, ka thënë ai.

Kadili kakërkuar ndryshime në udhëheqjen e partisë dhe në strategjinë e veprimit politik.

“Luftën politike e bëjmë me një koncept te ri, me qasje të re dhe me frymëzim të ri, me besueshmërinë, me vërtetësinë dhe me vendosmërinë si tipare që ty të kanë munguar”, citohet të ketë theksuar Kadili.

Përveç tij, ka patur edhe tjerë anëtarë të kryesisë së që kanë kërkuar ndryshime dhe strategji të re të PD-së. Por, të tjerë anëtarë të kryesisë e kanë mbrojtur linjën e kryetarit Basha.

Kryesia e PD-së ka vendosur që kandidaturat për kryetar të partisë të paraqiten derimë 22 maj. Kandidatët do të mund të zhvillojnë fushatë në strukturat e partisë deri më 11 qershor.

Deri më sot, kandidaturën për kryetar të PD-së e ka shpallur vetëm Fatbardh Kadilli. Lulzim Basha,  sipas qëndrimit që ka mbajtur deri më sot, synon të konfirmohet përsëri kryetar i partisë.

Zgjedhjet e rregullta në Partinë Demokratike duhet të mbaheshin në muajin korrik.

(r.m.)

One Response to “Kryesia e PD-së e hap garën për kryetar të ri të partisë”

Read below or add a comment...

  1. Mala says:

    Nese PD synon te vije ne qeverisje te vendit,tash duhet te drejtohet kah reforma drejtuese me kuadro te reja,te largohet nga te “vjetrit”te cilet edhe tash po shtyhen ne “brryla”,klanit qe shqiptareve dhe Shqiperise nuk i solli “lavdi” por kaos,varferi dhe krim te organizuar.