Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi vazhdon vizitën në Tiranë

Ai u takua me kryetaren e Kuvendit, kryedeputetin socialist qeveritar dhe kryetarin opozitar demokrat. Në të gjithë takimet është theksuar rëndësia bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe përfundimi me njohjen e ndërsjellë ndërshtetërore të dialogut me Serbinë.

Knid Ndrenika

Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi u prit në ditën e dytë të vizitës në Tiranë nga kryetari i partisë homologe në opozitë Lulzim Basha.

Kryetari Basha ritheksoi se Partia Demokratike i qëndron pozicionit për objektivin e dialogut Kosovë-Serbi; njohja e ndërsjelltë e shteteve.

Zoti Basha potencoi se Shqipëria si antare e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara duhet ta shtyjë përpara axhendën për Kosovën.

“Shqipëria të japë gjithçka, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit, të shtyjë me të gjitha forcat përpara çdo aspekt që ka të bëjë me Kosovën, vazhdimin e njohjes ndërkombëtare, të antarësimit në institucionet ndërkombëtare. Është koha për të mos shmangur, por për të mbajtur mbi supe barrën e përgjegjësisë”-tha ai.

Kryetari opozitar Krasniqi vërejti domosdoshmërinë e bashkëpunimit në njehsimin e politikave ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë:

“Në qeveri apo në opozitë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri, Shqipëri-Kosovë e kemi të padiskutueshëm dhe prioritet të prioriteteve. Vlerësojmë që obligimet tona, përgjegjësitë tona për të thelluar këtë bashkëpunim ndërmjet shteteve tona janë detyrë dhe përgjegjësi të përbashkëta”.

Në takimin e zotit Krasniqi me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla u theksua se sfidat e Kosovës janë edhe të Shqipërisë.

Zonja Nikolla vlerësoi rëndësinë e konsensusit të brendshëm midis forcave politike dhe liderëve të tyre përsa i takon qëndrimit ndaj dialogut Kosovë-Serbi dhe bëri thirrje për maturi, qetësi e unitet, për të patur një qëndrim të unifikuar rreth dialogut, të koordinuar me partnerët strategjikë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Kryetari Krasniqi nënvizoi rëndësinë që ka bashkërendimi i punës midis dy Kuvendeve dhe delegacioneve të përhershme parlamentare për fuqizimin e rolit dhe pozitës së Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryetari i deputetëve socialistë qeveritarë Taulant Balla i tha zotit Krasniqi se partia e tij Demokratike ka kontribut të pazëvendësueshëm në jetën politike të Kosovës dhe me rol të rëndësishëm në reformat drejt integrimit në BE dhe formësimin e shtetit ligjor.

“Andaj, edhe vizitën time të parë zyrtare si kryetar i PDK-së e fillova në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me kryetaren e Kuvendit zonjën Nikolla dhe tash në takimin me Taulant Balla si udhëheqës i shumicës parlamentare dhe i grupit më të madh parlamentare të Partisë Socialiste, ku u dakorduam për këto detyrime dhe këto përgjegjësi që i kemi për të punuar sa më shumë për përafrimin në thellimin e raporteve ndërmjet dy Kuvendeve tona, në bashkëpunimin ndërmjet dy Grupeve Parlamentare tona, sepse përtej pozicionimeve ideologjike që ne mund t’i kemi në raste të caktuara kemi pika të përbashkët dhe përafruese shumë më shumë”- tha zoti Kransiqi.