Kthehen maskat për shumicën e amerikanëve

Uashington, 29 korrik 2021 – Maskat e fytyrës po kërkohen të mbahen përsëri në Shtetet e Bashkuara në disa komunitete dhe vende pune, së bashku me udhëzimet për vaksinime të detyrueshme ndaj koronavirusit, në një shtytje të re për të frenuar variantin Delta të transmetueshëm lehtësisht të virusit që ka vrarë tashmë më shumë se 611,000 amerikanë.

Në Ditën e Pavarësisë në fillim të këtij muaji, Presidenti Joe Biden parashtroi hapat positive që vendi kishte bërë në luftën kundër koronavirusit. Por tani ai tha se po mendon seriozisht të kërkojë që më shumë se 2.1 milionë punonjës federalë të vaksinoheshin dhe se ai do t’i përmbahej rregullave që kërkojnë maskën kur të vizitonte disa zona të vendit ku virusi po shtohej.

Shtetet e Bashkuara tani po regjistrojnë më shumë se 60,000 raste të reja të koronavirusit në ditë, tha qeveria, nga më pak se 12,000 raste në fund të qershorit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ka rivendosur zbatimin e mbajtjes së maskave në Kongres.

Shteti perëndimor i Nevadës, ku ndodhet qendra e famshme e lojërave të fatit në Las Vegas, po rivendos rregullat e maskave për grumbullime në ambjente të brendshme, ashtu si edhe qyteti Kansas City në shtetin Mizuri. Gazeta The Washington Post, tha se do të kërkonte që të gjithë gazetarët e saj të vaksinohen përpara se të kthehen në zyrë në mes të shtatorit.

Kërkesat ndjekin udhëzimet e reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat thanë të martën se të dhënat e reja sugjeronin se edhe njerëzit e vaksinuar mund të transmetojnë virusin nëse infektohen. CDC-ja tha se maskat duhet të mbahen brenda ambjenteve publike në komunitetet që kanë parë një rritje dramatike të rasteve me COVID-19 në javët e fundit. COVID-19 është sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.

“E di që ky nuk është mesazhi që Amerika dëshiron të dëgjojë”, tha drejtoresha e CDC-së Rochelle Walensky të mërkurën për kanalin CNN. “Me variantet e mëparshme, kur njerëzit kishin infeksione të rralla që depërtonin vaksinën, nuk pamë të kishin aftësinë për ta përhapur virusin tek të tjerët, por me variantin Delta, tani shohim se mund t’ia kalosh virusin dikujt tjetër”.

Ajo theksoi se vaksinat kundër koronavirusit po parandalojnë shtrimet në nivele të larta në spitale dhe vdekjet. Por miliona amerikanë mbeten skeptikë ndaj vaksinave dhe po refuzojnë të imunizohen.

Zonja Walensky tha se njerëzit e pavaksinuar përbënin “pjesën dërrmuese” të rasteve të infeksioneve të reja. Dy të tretat e popullatës së lejuar për të marrë vaksinën, 12 vjeç e lartë, kanë marrë të paktën një dozë. Qeveria tha se pak më pak se gjysma e popullsisë amerikane me më shumë se 328 milionë njerëz është vaksinuar plotësisht.

Me udhëzimet e reja federale, qeveri të shumta shtetërore dhe lokale në të gjithë Shtetet e Bashkuara po rishikojnë ose po heqin dorë nga lehtësimi i i mëparshëm i rregullave të maskave.

CDC-ja gjithashtu u bëri thirrje sistemeve shkollore në të gjithë vendin që të kërkojnë maska për nxënësit, mësuesit dhe vizitorët ndërsa ata fillojnë vitin e ri shkollor në gusht dhe shtator.

Por disa shtete në Jug kanë miratuar ligje që ndalojnë maskat në shkolla, duke e lënë të paqartë se si do të reagojnë ndaj udhëzimeve të reja të CDC-së.

(Zëri i Amerikës)  

Comment

*