Kthimi i një miku të harruar

Njeriu që i prezantoi shqiptaro-amerikanët me kandidatin Bill Clinton, në 1992, u bën thirrje tani që të votojnë për Presidentin Donald Trump

By Ruben Avxhiu

Emri Christopher Hyland nuk do të thotë ndonjë gjë për shqiptarët e brezave të rinj, por nuk ka veprimtar shqiptaro-amerikan që ka qenë aktiv në fillim të viteve 1990, që nuk e mban mend emrin e tij.

Ishte viti 1992, kur një politikan i ri amerikan shënoi një ngritje meteorike në skenën kombëtare: Guvernatori i Arkansasit, Bill Clinton.

Presidenti George Bush ishte kaq popullor pas Luftës së Gjirit, në 1991, me 90% mbështetje në popull, saqë figurat kryesore demokrate u tërhoqën nga gara presidenciale. Kjo solli në skenë, guvernatorin e një shteti të parëndësishëm që do të bëhej figurë dominante në politikën amerikane.

Shqiptaro-amerikanët kishin disa vite që kishin modernizuar lobimin e tyre në Washington, së pari me kongresistin Joe DioGuardi dhe Ligën Qytetare Amerikane, me biznesmenë si Jim Xhema, Ekrem Bardha, vëllezërit Bitici apo edhe me ata të një brezi më të ri si Harry Bajraktari, Ilir Rusi etj.

Lidhje të forta ishin vendosur sidomos me Republikanët që mbizotëronin në Washington prej 12 vjetësh si dhe me disa figura demokratësh si kongresisti Tom Lantos.

Mirëpo, shqiptarët nuk dinin asgjë për guvernatorin Bill Clinton. Ishte një risi e papritur gati po aq sa W Bush, Barack Obama dhe Donald Trump në vitet e mëvonshme. Politika amerikane vazhdimisht është përpjekur të sjellë një figurë relativisht të jashtme në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Kështu që kur një njeri me emrin Christopher Hyland filloi t’i kontaktonte në emër të fushatës së guvernatorit Bill Clinton interesi ishte i jashtëzakonshëm.

Kjo ishte koha kur Kosova ndonëse ishte vizituar nga figura madhore si Bob Dole dhe Tom Lantos, vijonte të injorohej nga Presidenti Bush Sr si dhe nga kancelaritë europiane. Në konferencat për paqen në Jugosllavi, Kosova nuk po ftohej. Njohjet ndërkombëtare kishin ardhur për republikat e Sllovenisë, Kroacisë, madje edhe për Maqedoninë e Bosnjen, por jo për Kosovën.

Guvernatori Clinton shumë shpejt do të ashpërsonte gjuhën e tij lidhur me Jugosllavinë, por për Kosovën nuk dinte absolutisht asgjë. Shfaqja në skenë e Christopher Hyland ishte hapi i parë për ta ndrequr këtë mungesë.

Kush ishte Christopher Hyland

Djalë i një çifti të njohur nga Massachusetts, prindërit e të cilit kishin qenë miq me Anthony Athanas, Christopher Hyland ishte bërë një tregëtar i suksesshëm pëlhurash e tekstilesh, mobilerish të fisshme që preferoheshin nga arkitektë e dekoratorë të shquar, me qendër në New York.

Përpara se të hynte në këtë biznes, Hyland kishte marrë një arsim shumë të mirë, përfshi edhe në shkollën e Shërbimit të Jashtëm (diplomatik) në Georgetown University, në Washington. Këtu kishte pasur një shok klase me të cilin miqësuar: njëfarë Bill Clinton nga katundi Hope në Arkansas.

Shumë vite më vonë, kur Clinton hyri në garën presidenciale, Hyland braktisi biznesin e tij, duke ia lënë të gjitha punët partnerit të tij në jetë e biznes Constantino Castellano dhe filloi të punonte për fushatën e mikut të tij.

Ai mori përsipër lidhjet me komunitetet etnike në New York dhe pastaj në mbarë SHBA-në.

Siç i tregoi botuesit të gazetës “Illyria”, Vehbi Bajramit, pak ditë më parë, gjatë një interviste ekskluzive në shtëpinë e tij, në Manhattan, Hyland nuk e kishte idenë se kush ishte kush në komunitetin shqiptar apo edhe në komunitetet e tjera.

Kështu që ai e nisi duke blerë kopje të rreth 50 gazetave komunitare, një ndër të cilat ishte edhe “Illyria”. Hyland mbeti me shumë mbresa nga gazeta shqiptaro-amerikane që bazohej në standardet amerikane të gazetarisë dhe filloi ta lexonte rregullisht. Me kujdes shënonte emrat e figurave kryesore të komunitetit, aktivistët, etj. Që aty filloi të kontaktonte vëllezërit John e Sergio Bitici, Harry Bajraktarin që kishte themeluar gazetën, biznesmenin Jim Xhema, me të cilin do të lidhej më ngushtë etj.

Këto kujtime bënin jehonë te botuesi Vehbi Bajrami, i cili në atë kohë, si reporter i ri gati 30 vjet më parë ndiqte me vëmendje aktivizimin e komunitetit për Kosovën dhe çështjen kombëtare.

Takimi që prezantoi shqiptarët me fushatën e presidentit Clinton

Një miting në komunitet me mijëra vetë i mbledhur për kryeministrin Bujar Bukoshi që kishte ardhur për vizitë në New York nxori për here të pare në skenë Christopher Hyland-in.

Mes disa prej aktivistëve më të njohur shqiptarë të Amerikës dhe kryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi.
Christopher Hyland, ulur, i dyti nga e djathta

Ai mori fjalën gjatë mitingut dhe u prit me entuziazëm të madh nga shqiptaro-amerikanët. Një komunitet me lidhje tradicionale me Partinë Republikane filloi të shihte interes te koha e re që vinte me kandidatin Bill Clinton.

Hyland që po ia përcillte me kujdes fushatës së guvernatorit Clinton pikëpamjet shqiptare për Jugosllavinë dhe Ballkanin ishte entuziast për interesin e krijuar.

Ndërkohë që Presidenti Bush e kishte injoruar krizën dhe luftën në Jugosllavi duke e konsideruar si “një problem europian”, Clinton filloi të premtonte ndërhyrje të ashpër deri edhe ushtarake për të ndëshkuar Ushtrinë Jugosllave të mbizotëruar nga serbët e Sllobodan Millosheviqit. Clinton nuk kishte premtuar të njihte Kosovën e pavarur po as e kishte përjashtuar, ndërsa Presidenti Bush e kishte bërë të qartë se nuk shihte opcion pavarësie për Kosovën.

Në 30 mars 1992, Christopher Hyland organizoi një darkë të madhe për komunitetet në New York, ku merrnin pjesë Hillary Clinton si dhe disa nga figurat kryesore të ekipit të guvernatorit që mund të bëheshin drejtues kryesorë në administratë.

Lajmi i parë në gazetën “Illyria” për Christopher Hyland, në 7 mars 1992.

Në atë kohë, shumica e veprimeve të komunitetit bëheshin ende nëpërmjet Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane.

Pas bisedimeve u vendos që Liga do të përfaqësohej me dhjetë vetë që do të blenin biletat e shtrenjta të pjesëmarrjes duke zënë kështu një tavolinë të plotë në sallë.

Hyland drejtoi takimin dhe përshëndeti disa nga komunitetet e mëdha të pranishme. Në tavolinën shqiptare kishte ankth sepse donin patjetër që të përmendej edhe fjala “shqiptarët” që ta merrnin vesh njerëzit e Clinton-it që edhe komuniteti ynë po kontribuonte.

Dhe në fakt, Christopher Hyland pa nga tavolina e shqiptarëve dhe tha, që aty atë natë kishin edhe shqiptaro-amerikanët që po punojnë shumë për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat e tyre në Kosovë që po vuajnë nën shtypjen brutale serbe.

Gëzimi i shqiptarëve qe i madh. Po Hyland kishte edhe një surprizë tjetër.

“Pak ditë më parë”, tha ai, “në një vend në Europë me emrin Shqipëri, u mbajtën zgjedhjet dhe për herë të parë janë mundur komunistët dhe kanë fituar forcat demokratike me në krye Dr. Sali Berishën”.

E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje.

Po nuk mbaroi aty.

Hyland ngriti lart një kornizë ku dukej një proklamatë dhe tha se ky është një nderim modest nga vetë kandidati për president Guvernatori Clinton për Dr. Sali Berishën për ta përgëzuar për fitoren e tij në zgjdhje.

Ishte një moment në atë darkë. Tani e gjithë salla ishte kthyer nga tavolina e shqiptarëve. Për ta marrë dhuratën e guvernatorit u ngritën dy figurat më të nderuara në tavolinën e shqiptarëve: Akademik Mark Krasniqi që kishte udhëtuar nga Kosova dhe Prof Sami Repishti, që shërbente si President i Ligës Qytetare.

Mes duartrokitjeve të mëdha ata pranuan proklamatën në emër të Dr Sali Berishës. Kur e mendon tani, ajo po jepej nga presidenti i ardhshëm i Amerikës për presidentin e ardhshëm të Shqipërisë.

Përsëri nuk mbaroi aty. Fjalën e fundit kësaj here e patën shqiptarët. Në sajë të një njeriu, Jim Xhemës.

Shqiptarët nuk e kanë zakon të mos e kthejnë nderin.

Christopher Hyland tha se edhe shqiptaro-amerikanët kanë një dhuratë për Guvernatorin e Arksansasit, Bill Clinton. Ishte një simbol i shqiponjës nga Liga Qytetare, ide dhe vepër e patriotit Jim Xhema. Për ta marrë simbolin, në emër të guvernatorit, doli në skenë vetë Hillary Clinton.

Shqiptarët kishin merak që të përmendeshin në atë darkë, mirëpo si shkuan punët nuk besoj se ndonjë komunitet tjetër ra më shumë në se të ekipit të ri të Bill Clinton-it sesa shqiptarët atë natë. Ishin prezantuar më në fund me rrethin e të “panjohurit të madh” të politikës së re amerikane.

Respekt i jashtëzakonshëm për Rugovën

Hyland filloi të lobonte për shqiptarët duke ngulmuar që ekipi i kandidatit Clinton të shprehej posaçërisht për Kosovën.

Christopher Hyland (majtas) dhe Jim Xhema.

Një ditë e kontaktoi Jim Xhema dhe i tha se do ta prezantonte me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Jim Xhema është një njeri që më kishte lënë mbresa të jashtëzakonshme”, thotë Hyland gjatë intervistës. “Një mishërim i ëndrrës amerikane që erdhi këtu pa asgjë dhe krijoi një biznes të jashtëzakonshëm. Në vite pastaj ka ndihmuar jo vetëm çështjen shqiptare dhe komunitetin shqiptar, po kudo ku ka pasur mundësi ka sjellë ndryshime pozitive”.

Christopher Hyland dhe Presidenti Rugova krijuan menjëherë një lidhje të veçantë. Hyland e kishte bërë shkollën e mesme në Zvicër, në gjuhën franceze. Rugova kishte studjuar në Paris. Në një mjedis ku të gjithë flisnin anglisht, të dy gjetën një gjuhë të përbashkët në disa drejtime.

Hyland që kishte gjetur rezistencë në ekipin e kandidatit Clinton për shkak të propagandës serbe për kishat historike, afër Pejës, e pyeti Rugovën për një strategji që mund t’ua hiqte serbëve argumentin kryesor, pa dëmtuar ambicjen e Kosovës për republikë e pavarësi.

“Kur flasin njerëzit për lidhje shpirtërore, arsyeja fluturon nga dritarja”, thotë Hyland. “Në momentin që e heq atë nga tavolina fillon negociata”.

Hyland propozoi që pikat fetare të kishin autonomi apo vetëqeverisje nga Kosova. Ka plot precedente në botë. Nga Vatikani që është shtet më vete, te Mali Athos në Greqi që vetëadministrohet nga murgjit.

Asnjë shtet nuk e kishte njohur Kosovën përveç Shqipërisë dhe Rugova nuk kishte shumë çfarë të humbte në atë kohë, mirëpo kur tregoi gatishmëri që kishat serbe e manastiret të mos ishin nën kontrollin e shtetit të Kosovës, Hyland u bind se kishin gjetur themel për të filluar zgjidhjen e problemit.

Për javë e muaj u përpoq që ta bindte ekipin e kandidatit Clinton, miëpo si tregon vetë, nuk mori asnjëherë aprovim. Një nga ata që e pengonte vazhdimisht ishte George Stephanopoulos, këshilltari greko-amerikan i kandidatit.

Në fund, Clinton u detyrua të merrej tërësisht me Kosovën, ishte ndërhyrja e tij në krye të SHBA-së dhe NATO-s që çliroi Kosovën dhe sot, kur Kosova është e pavarur, territoret fetare serbe gëzojnë pikërisht atë lloj vetadministrimi që propozonte Hyland në atë kohë.

Kur Clinton erdhi në New York për zgjedhjet brenda Partisë Demokrate, Hyland ndërmjetësoi një takim mes shqiptarëve dhe ekipit të guvernatorit.

Pasi Clinton u çimentua si kandidati i Partisë Demokratike, Hyland e habiti ish-shokun e shkollës duke i organizuar në New York, një darkë fondmbledhëse me 950 udhëheqës komunitetesh etnike. Jim Xhema ishte anëtar i Komitetit Ekzekutiv që organizoi takimin. Në Komitetin e Darkës ishin edhe disa shqiptaro-amerikanë të tjerë. Sipas alfabetit, Dino Asanaj, Harry Bajraktari, John, Michael dhe Sergio Bitici.

Një tufë shqiptaro-amerikanësh morën pjesë në këtë takim që u quajt “Broadway për Bill Clinton”, në St James Theater në Rrugën e 44-t në 22 qershor 1992.

Në një rast tjetër, Hyland dhe Rugova mbajtën fjalime përpara një mitingu prej 5,000 shqiptarësh në sheshin përballë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku kërkuan njohjen e Kosovës dhe pjesëmarrjen e saj në konferencat për paqen në Jugosllavi.

Për gëzimin e shqiptarëve, Hyland dhe Rugova bënë “qepalla”, duke përplasur pëllëmbët në ajër. Energjia ishte e fuqishme mes shqiptarëve.

Pak ditë përpara zgjedhjeve, “Illyria” mbështeti publikisht kandidatin Clinton. Ai doli fitues duke nisur një epokë të re për SHBA-në dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Në dhjetor, ndërsa Hyland ishte ngarkuar me Tranzicionin nga Bush, në Administratën Clinton, ai ishte vendosur në Little Rock, Arkansas. Të gjithë ata që do të merrnin postet kryesore në Administratë udhëtonin aty për t’u intervistuar e pastaj vendoseshin aty për të kryer përgatitjet. Në janar 1993, do të merrnin në dorë qeverisjen e Shteteve të Bashkuara.

Aty, Hyland organizoi edhe një takim të ngushtë të administratës së re me përfaqësues komunitetesh etnike, ku ftoi edhe dy përfaqësues nga komuniteti shqiptar. Harry Bajraktari dhe Elez Biberaj nga Zëri i Amerikës, udhëtuan në Little Rock për këtë punë.

Ishte fillimi i një pune të gjatë që do të afronte më në fund shumë figurat kryesore të punëve të jashtme të Demokratëve me komunitetin shqiptar.

Me kurriz nga e majta, Harry Bajraktari, i treti Christopher Hyland, dhjetor 1992, në Little Rock, Arkansas, ku udhëheqës nga komunitetet u takuan me Ekipin e Tranzicionit, të Presidentit të Sapozgjedhur, Bill Clinton.

Një nga lidhjet e forta që krijoi Hyland ishte edhe me komunitetin irlandez. Kjo punë u kurorëzua me Marrëveshjen e të Premtes së Mirë, që i dha fund konfliktit të armatosur në Irlandën e Veriut.

Ka mbetur si një prej arritjeve më të mëdha historike të Presidentit Bill Clinton. Senatori i Amerikës George Mitchel, që vepronte si emisari special i Presidentit Clinton dhe Christopher Hyland janë nderuar që të dy me Çmimin e Shën Patrikut për rolin që luajtën në këtë lidhje.

Hyland rikthehet, tani thotë: Votoni për Donald Trump!

Hyland është tërhequr nga politika pas zgjedhjeve të vitit 1992. Shoku i tij i klasës e zhgënjeu kur nuk i dha asnjë nga postet që kishte kërkuar në Administratën e re. Vite më vonë, kur botoi autobiografinë “Jeta Ime”, Bill Clinton vlerëson me superlativa ndihmën që i kishte dhënë Hyland gjatë fushatës.

Një takim me Presidentin Trump. Christopher Hyland (djathtas).

“E ka shkruar nga ndjenjat e fajit se nuk u soll mirë me mua”, thotë Hyland gjatë intervistës. Librin e ka gjithësesi në bibliotekë. Kur hyri në politikë, Hillary Clinton e kontaktoi menjëherë dhe u përpoq që ta rindizte marrëdhënien.

Hyland thotë se nuk u mban mëri. Është i kënaqur nga jeta që ka pasur. Puna dhe mallrat e tij janë përshkruar me lavdërime pafund në revistat më të famshme të arkitekturës dhe modelimit e zbukurimit të shtëpive, të jetës mondane e moderne. Apartamenti ku jeton, në lagjen Chelsea, në Manhattan është legjendar për mobilimin luksoz dhe është fiksuar në sa e sa reportazhe fotografësh të njohur.

Aty na tregon edhe një sekret të vogël. Brendia e apartamentit është punë e mjeshtrit të njohur Jim Xhema.

Me gjithë këto histori, disa të harruara e disa të pashlyeshme në kujtime, është e kuptueshme habia e botuesit Vehbi Bajrami, kur pa se na kishte ardhur një shkrim nga Christopher Hyland. Ky emër nga e kaluara vinte me kuriozitet.

Sidomos mesazhi i tij se shqiptaro-amerikanët duhej të votonin për republikanin Donald Trump.

Në fakt, lajmi se ish-drejtori i lidhjes me komunitetet në fushatën e Bill Clinton-it tani mbështet Presidentin Donald Trump, shkon përtej komunitetit tonë për nga rëndësia.

Hyland kishte ndjekur ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe kishte vendosur t’i drejtohej edhe njëherë komunitetit.

Ai i kupton shqetësimet e shqiptarëve për marrëveshjen por sipas tij kryesore është ndjenja e pragmatizmit që ka dëshmuar Presidenti Trump dhe Ambasadori Richard Grenell. Demokratët thotë ai do të mbyten në një mijë argumente. Trump dhe Grenell treguan se janë njerëz të praktikës, që gjejnë se çfarë funksionin dhe e mbyllin konfliktin në vend që ta zvarrisin. Ai sheh tea ta të njëjtin pragmatizëm që kishte treguar edhe ai vetë në 1992, kur ishte përpjekur ta zgjidhte aq herët punën e Kosovës.

Në opinionin e tij që ia botuam në gazetën “Illyria”, ai shkruan edhe se shqiptarët që njohën vuajtjet e komunizmit nuk mund të gënjehen nga demokratët që po radikalizohen majtas. As nuk mund të pranojnë shkatërrimin e bizneseve dhe qyteteve amerikane nga protestat e dhunshme të të majtës. Kjo dhunë nuk sjell drejtësi për George Floyd dhe viktimat e tjera, thotë ai.

“Ne duam një Amerikë akoma më të mirë, më të begatë, më tolerante dhe më përfshirëse. Presidenti Trump po na udhëheq në atë drejtim, duke na çuar edhe më tej në këtë udhëtim të pashoq në histori, ku të gjithë kemi një rol për të luajtur”, shkruan Hyland.

Pyetur nga botuesi Bajrami se pse është shkëputur kaq gjatë nga komuniteti, Hyland tha se ishte e kundërta. Komuniteti mendoi se nuk pati më nevojë për mua, por sipas tij ishte një gabim. Ndonëse nuk hyri në politikë lidhjet e tij gjithmonë kanë qenë të fuqishme. Komuniteti irlandez për shembull nuk e harroi atë punë.

Në një mbrëmje ishte takuar me presidentin Trump. “E di se kush je”, i kishte thënë ai. “Ti je Christopher Hyland”. Kjo e habiti se nuk ishin takuar ndonjëherë, ndonëse kishin qenë pjesë e rretheve të njëjta në New York.

Shqiptaro-amerikanët jetojnë në disa shtete kyçe dhe vota e tyre ka rëndësi. Nuk dihet sesa rol mund të ketë kjo thirrje nga Christopher Hyland, sigurisht një mik i vjetër, ndonëse pak i harruar, por komuniteti ynë është nga ato fushëbetejat ku ia vlen fushata sepse ka vota që mund të lëvizin majtas ose djathtas, në vende kyçe si Michigan, Florida, Pennsylvania, Ohio, Wisconsin etj.

Shqiptarët pro Biden janë të sigurtë se shumica e komunitetit do të votojë për të, për shkak të ndihmës për Kosovën në vitet 1990. Mirëpo, Hyland këmbënguli se Trump do të rezonojë më shumë me shqiptaro-amerikanët që duan një Amerikë të fortë me një sy praktik në botën e jashtme.

Botuesi i gazetës “Illyria”, Vehbi Bajrami dhe Christopher Hyland, në apartamentin e këtij të fundit, në Manhattan.