Ku i ka rrënjët pro-amerikanizmi i shqiptarëve?

This image has an empty alt attribute; its file name is Mehmet-PRISHTINA-3.jpg

Mehmet PRISHTINA

Përkushtimi i shqiptarëve për Amerikën nuk është sipërfaqësor, sepse festa e 4 Korrikut, përpos që konsiderohet si gurë kilometrik i matjes së vlerave universale të lirisë globale, Dita e Pavarësisë së Amerikës është pjesë e gëzimit edhe në familjet shqiptare. Ky përkushtim rrënjët i ka në ndjeshmërinë që kanë shqiptarët për popullin amerikan, nderimi për të cilin është shprehur edhe në formë simbolike, duke emëruar rrugë, bulevarde, sheshe e institucione me emra amerikanësh tëshquar që kontribuuan në mirëqenin e popullit shqiptar.

 

Sot kur SHBA e kremton Ditën e Pavarësisë, 4 Korrikun, shqiptarët s’kanë si të mos ndjehen krenarë për miqësinë tradicionale me popullin amerikan. Madje jo pak familje shqiptare, këtë festë e përjetojnë si festë të tyre, dhe kjo është një tregues i saktë i lidhshmërisë së shqiptarëve me Amerikën. Kjo, mbase, është vërtetuar edhe në të gjitha sondazhet që janë bërë, ku rezulton që shqiptarët të jenë ndër popujt më proamerikan.

Por ku i ka rrënjët ky proamerikanizëm i shqiptarëve?

Nëse i referohemi historisë më të hershme dhe më të vonshme, do të shohim se disa herë gjatë shekullit njëzet, SHBA luajtën rol vendimtar në mbrojtjen e qenies shqiptare nga agresioni i huaj. Fillimisht kjo ndodhi në Konferencën e Paqes në Paris (1919) ku presidenti Woodrow Wilsoni do të deklaronte hapur: “Shqipëria duhet të jetë e pavarur”. Për rolin e tij vendimtar në Konferencën e Versajës, kryeministri i atëhershëm shqiptar, më 1924, Fan Noli do të merrte vendim që Shëngjinin ta quante “Qyteti Wilson”. Këtë emër e mbajti deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore.

Në frymën e këtij angazhimi amerikan pro shqiptarëve, në vitin 1992, presidenti Xhorxh Bush plaku, me rastin e Krishtlindjeve, e paralajmëroi Sllobodan Millosheviqin që të ndalë dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët përbëjnë mbi 90%  të popullsisë së saj.

“I bëj thirrje lidershipit serb që t’i respektojnë të drejtat e njeriut në mënyrë të plotë, të përmbahen nga represioni i mëtejshëm në Kosovë dhe të angazhohet në një dialog serioz me përfaqësuesit e Kosovës, me qëllim të përcaktimit të një statusi politik të Kosovës”, kishte thënë George Bush.

Është për t’u nënvizuar se kursi amerikan ndaj çështjes shqiptare mbetet i pandryshuar, pavarësisht faktit se cili president gjendet në Shtëpinë e Bardhë. Kjo u dëshmua edhe me qasjen e presidentit demokrat Bil Klinton, në dy mandatet e tij, e cila nuk ndryshonte nga ajo e pararendësit të tij, George Bush plakut, për arsye se nën udhëheqjen e tij SHBA-ja qe prijëse në fushatën e bombardimeve kundër makinerisë militariste të Serbisë, në muajt mars-qershor 1999, që rezultoi me përzënien e kësaj të fundit nga Kosova.

Në një paraqitje para popullit amerikan, më 24 mars 1999, presidenti Clinton do të shpjegonte arsyet pse Kosova kishte rëndësi për Amerikën.

“Ne po veprojmë që të parandalojmë një luftë të gjerë, të largojmë një fuçi baroti në zemër të Evropës, që ka shpërthyer dy herë me radhë këtë shekull me pasoja katastrofike”, kishte deklaruar Clintoni.

Pas luftës Clintoni e vizitoi Kosovën për të përçuar një porosi të re për popullin e saj: “Ne e fituam luftën, ju duhet ta fitoni paqen”.

Disa vite më vonë, konkretisht më 2008, SHBA e mbështetën fuqishëm kauzën e pavarësisë së Kosovës.

Kontributi amerikan do të shpërfaqet edhe në dimensionin e sigurisë kolektive të shqiptarëve, duke ndërhyrë drejtpërdrejtë që Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s. Pjesë e këtij kontributi është edhe mbështetja amerikane për kauzën e pavarësisë së Kosovës. 88 vjet pas angazhimit të Wilsonit, më 10 qershor 2007, ish-presidenti George W. Bush, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, në Tiranë,  bëri një deklaratë e cila ishte paralajmërim i qartë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur. Ky është qëndrimi im! Ky është një qëndrim i prerë dhe i fortë”, kishte thënë presidenti i 43-të i SHBA-së.

Vetëm tetë muaj më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova e shpalli pavarësinë e saj.

SHBA do të vazhdojë të angazhohet fuqishëm edhe në procesin e njohjes së Kosovës prej më shumë se  100 shteteve të botës.

Roli i SHBA-së për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe të Kosovës është mjaft i qenësishëm për faktin se deri më tani janë realizuar programe të shumta zhvillimi dhe mbështetje financiare për fuqizimin ekonomik, social e kulturor të trevave shqiptare, një dimension ky shumë i rëndësishëm për krijimin e një hapësire të sigurt gjeopolitike që do të jetë garant i mbrojtjes së interesave amerikane në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Protagonizmi amerikan është i prekshëm edhe në politikat integruese euro-atlantike, sidomos në integrimin e rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën,  në NATO dhe, më vonë, në BE, ku Washingtoni ka rol vendimtar.

Kur jemi te siguria, nuk duhet harruar 14 dhjetorin e vitit 2019, kur Forcat e Sigurisë së Kosovës u transformuan në Ushtri të Kosovës. Kjo nuk do të mund të bëhej pa mbështetjen e administratës së Presidentit Tramp. Sot e kësaj dite Uashingtoni ndihmon në modernizimin dhe ngritjen profesionale të Ushtrisë së Kosovës dhe të policisë kosovare. Për shumë vende të botës, ish Presidenti Trump i pat suprimuar ndihmat financiare të ShBA-së. Përjashtim bënin vetëm Izraeli, Kosova dhe Gjeorgjia.

Për shqiptarët, Amerika ishte atdheu i dytë që ua ngrohte zemrat  edhe atëherë kur acari i egër i kanosjeve nga jashtë e rrezikonte qenien shqiptare. Fillet edemokracisë në Shqipëri dhe në Kosovë e patën mentor Amerikën. Liderët shqiptarë nga Prishtina dhe nga Tirana, në filllim të viteve 90-të, i patën Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin Amerikan adresa të vetme ku mund t’i shprehnin nevojat dhe kërkresat për konsolidimin e demokracisë dhe për zhvillimin ekonomik e social në tokat shqiptare, përfshirë senzibilizimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Lobuesit amerikanë ishin dhe mbetën flamurtarët e vetëm të  mbrojtjes së intertesave shqiptare. Kjo tingëllon tepër shpresdhënëse edhe në ditët e sotme, kur Kosova nuk i ka mbyllur ende disa probleme me Serbinë dhe kjo nuk mund të bëhet pa mbështetjen amerikane. Në dialogun Kosovë-Serbi, roli i diplomacisë amerikane është vendimtar dhe shqiptarët me të drejtë kërkojnë që  Washingtoni të jetë  garantues i marrëveshjeve që duhet të arrihen me Serbinë.

Përkushtimi i shqiptarëve për Amerikën nuk është sipërfaqësor, sepse festa e 4 Korrikut, përpos që konsiderohet si gurë kilometrik i matjes së vlerave universale të lirisë globale, Dita e Pavarësisë së Amerikës është pjesë e gëzimit edhe në familjet shqiptare. Ky përkushtim rrënjët i ka në ndjeshmërinë që kanë shqiptarët për popullin amerikan, nderimi për të cilin është shprehur edhe në formë simbolike, duke emëruar rrugë, bulevarde, sheshe e institucione me emra amerikanësh tëshquar që kontribuuan në mirëqenin e popullit shqiptar.

Sot, shqiptarët në “tokën e lirë” amerikane, gëzojnë respekt dhe dinjitet, me punën dhe kontributet që japin në ngritjen dhe përparimin e atdheut të tyre të dytë, si mirënjohje për angazhimin e etërve të shtetit amerikan në konsolidimin e demokracisë dhe në zhvillimit ekonomik e social në hapësirën etnike shqiptare në Ballkan dhe më gjerë.

I përjetshëm qoftë emri i shenjtë i Amerikës!

 

Prishtinë, 4 korrik, 2021

 

Comment

*