Ku po përqendrohet beteja, nëntë ditë para zgjedhjeve

14 - Edi Rama ne DiberBeisha-Rama, “luftë” edhe për një votë të vetme në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat –  Lezha, Shkodra dhe Durrësi janë qarqet e tjera me një probabilitet më të vogël për të ndryshuar balancat mes të majtës dhe të djathtës

 

Nga Tirana, Dardan Malaj

 

Zgjedhjet e përgjithshme e të 23 qershorit pritet të përcaktohen nga ekuilibrat politikë të katër prej 12 qarqeve të vendit. Partia Socialiste në opozitë synon që të rikthejë balancat në favor të saj me nga një mandat në tre prej tyre ndërsa demokratët shpresojnë të përfitojnë një të tillë.

Nëntë ditë para votimeve, kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës Edi Rama i kanë përqendruar takimet zgjedhore më së shumti në Qarqet e Tiranës, Elbasanit, Fierit dhe Beratit ku po luftojnë qoftë edhe për një votë të vetme.

Për shkak të sistemit dhe formulës së ndarjes së mandateve mes koalicioneve, gara në shumicën e qarqeve të vendit është thuajse e mbyllur dhe ndryshimet konsiderohen të vështira në raport me atë ndarje të katër viteve më parë.

Në një kohë kur nuk dihet pesha zgjedhore dhe roli që do të kenë partitë e reja si Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuqezi, një krahasim me votat e katër viteve më parë tregon se sa vota i duhen njërit kamp për të rikuperuar në rezultat.

Qarku i Tiranës numëron 32 mandate deputetesh ndërsa në votimet e fundit parlamentare Partia Socialiste dhe Partia Demokratike morën 15 të tilla. Nga një mandat përfaqësimi fituan Lëvizja Socialiste për Integrim (e cila garoi në një koalicion më vete) dhe Partia Republikane që ishte pjesë e aleancës me PD-në.

Koalicioni i djathtë sipas formatimit të sotëm arrin që matematikisht të shkojë në 184,643 vota ndërsa koalicioni i majtë duke marrë në konsideratë bashkimin PS-LSI arrin në 194,320 vota. Nëse këto shifra do të rikonfirmohen në 23 qershor, balancat mbeten 16 me 16 mes dy kampeve PS-LSI dhe PD-PR. Por, e majta mund të marrë një mandat tjetër më shumë nga ato të vitit 2009 nëse arrin të sigurojë 816 vota më shumë dhe PD-së i ikin 816 vota. Partia Demokratike dhe koalicioni i saj mund ta marrin mandatin e 17-të nëse shtohen me 10 mijë vota dhe socialistëve u ikin po kaq vota.

Një tjetër Qark ku pritet me interes gara e 23 Qershorit është ai i Fierit ku ndryshimi i balancave është i mundshëm. Në zgjedhjet e katër viteve më parë koalicioni i Partisë Demokratike mori gjashtë mandate ndërsa Partia Socialiste fitoi nëntë të tilla dhe LSI mandatin e 16-të. Të majtët synojnë që përmes ribashkimit të së majtës të mund të ruajnë raportet 10 me 6 në këtë qark. Ndërkohë, Partisë Demokratike do ti duheshin 200 vota më shumë për të marrë mandatin e shtatë në Fier. Me koalicionet aktuale, matematikisht e djathta arrin në 73,456 vota ndërsa e majta shkon në 103,486 vota. Situata ndërlikohet edhe më tej për shkak se në Fier garon si kandidat i pavarur ish deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Dritan Prifti.

Berati është një Qark që numëron tetë mandate deputetësh, prej të cilave në zgjedhjet e fundit parlamentare Partia Socialiste mori katër, Partia Demokratike tre dhe Lëvizja Socialiste për Integrim mandatin e fundit. Votat e vitit 2009, të rigrupuara sipas koalicioneve të regjistruara aktualisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nxjerrin të majtën me 54,237 vota dhe të djathtën me 27,336 vota. Me këtë rezultat të pandryshueshëm të majtët edhe në 23 Qershor do mund të ruajnë pesë mandatet kundrejt tre të së djathtës. Por, e majta mund ta marrë mandatin e gjashtë nëse shton vetëm 218 vota e në të njëjtën kohë Partisë Demokratike i humbasin po kaq vota, ose nëse rritja e PS është 436 vota.

Në Qarkun e Elbasanit ka 14 mandate deputetësh dhe në zgjedhjet e fundit dy kampet morën nga shtatë mandate deputetësh. Koalicioni aktual i së djathtës ka 72,000 vota ndërsa e majta shkon në 81, 318 vota. Opozita mund ta marrë mandatin e tetë nëse shtohet me 484 vota në të njëjtën kohë kur PD humbet po kaq, ose nëse PS shtohet me 968 vota. Koalicioni i drejtuar nga Partia Demokratike e ka mundësinë për ta marrë mandatin e tetë nëse i shtohen 11,789 vota e në të njëjtën kohë PS pakësohet po me kaq vota.

Lezha, Shkodra dhe Durrësi janë qarqet e tjera me një probabilitet më të vogël për të ndryshuar balancat mes të majtës dhe të djathtës. Partia Demokratike në Qarkun e Lezhës mund të marrë një mandat shtesë nëse merr 7822 vota më shumë. Në Qarkun e Shkodrës koalicioni i djathtë mund ta marrë një mandat shtesë vetëm nëse shton 12 mijë vota ndërsa në Qarkun e Durrësit të djathtës i duhen 12,410 vota.

Situata mbetet më e qartë për ndarjet në Qarqet e Dibrës, Gjirokastrës dhe Kukësit ku kampeve u duhen shumë vota për të ndryshuar situatën aktuale ndërsa mbetet për t’u parë Qarku i Korçës dhe sidomos ai i Vlorës ku kandidon si i pavarur edhe ish-ministri socialist Arben Malaj.

Comment

*