Kuadrati shqiptar, më i madhi në Paradën e Emigrantëve në New York

 

 

 

Simbolet tona kombëtare, bluzat e kuqe me hartën e Shqipërisë Etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat i dhanë sheshit America një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm

 

Nga Beqir Sina

NEW YORK, NY: Marshuesit kuqezi, shqiptarët, ishin kësaj rradhe më të shumtit në numër, mes komuniteteve që marshuan në edicionin e 28 të Paradës Ndërkombëtare të Emigrantëve.
Qindra shqiptarë me entuziazëmin shpalosën simbolet e ngjyrave tona kombëtare dhe parakaluan plot krenari.
Është një traditë prej katër dekadash, që në javën e fundit të qershorit në qytetin e Nju Jorkut, në Avenuenë e Gjashtë apo Avenunë e Amerikës, për çdo vit të zhvillohet Parada Ndërkombëtare e Emigrantëve (International Immigrants Parade). Organizatori i kësaj parade, është një organizatë joqeveritare në Kombet e Bashkuara, me president zotin Edëard Juarez-Pagliocco. Tema e Paradës ishte: “Festimi i Unitetit Nëpërmjet Diversitetit”.
Kuadratin shqiptar të paradës e kishte organizuar Rrënjët Shqiptare me mbështetjen e një numri organizatash të komunitetit, si Shoqata Ana e Malit, Fondacioni Plavë dhe Guci, Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane, Shoqata Kombi, etj.
Ditën e shtunë në drekë, emigrantët nga Shqipëria, Gjeorgjia, Kina, Tibeti, Meksika, Karaibet, Amerika Jugore dhe Vietnami parakaluan nga Rruga 43 në Rrugën 58. Parada zgjati më pak se një orë e gjysmë.
Në marshin e shqiptarëve ishin të rreshtuara tre të ashtuquajtura “parade floats” (rimorkiot e parades) të tërhequara nga kamiona, veshur në të gjitha anët me flamuj kombëtarë – kuq e zi, dhe të gjitha ngjyrat e veshjeve folklorike. Me parulla “Rrënjët Shqiptare”, Fondacioni Plavë e Guci dhe Shoqata Ana e Malit, me të rinj e të reja veshur me kostumet popullore, duke vallëzuar dhe kënduar shqip ato parakaluan përmes bulevardit,.
Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë paradë, tha presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi, është shumë e rëndësishme dhe ne jemi shumë të lumtur dhe krenarë që po përfaqësohemi për çdo vit në këtë parakalimin e vetëm të shqiptarëve deri tani në mes të New Yorkut.
Në këtë Paradë, shqiptarët erdhën më të organizuar se heret e tjera. Me pjesmarjen e shumë grupeve dhe organizatave të tjera shqiptare, që operojnë jo vetëm në New York, por në gjithë SHBA-të, si ato nga Detroiti (dega Rrënjët Shqiptare me kryetar Endrit Topalli), grupi i Texas-it (me kryetar Besmir Hoxha), Bostoni, dhe New Jersey, duke promovuar të gjitha vlerat tona kulturore dhe folklorike të tilla si kostumet, vallet dhe këngët tona nga treva të ndryshme shqiptare.
Presidenti i organizatës Rrënjët Shqiptare, Marko Kepi nderoi me çmimin “Nënë Tereza”, Ambasadorin Dr. Waheed Waheedullah. Ndërsa me një Çertifikatë të Mirënjohjes, kryetarin e Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit, zotin Ismet Kurti, top modelen e njohur shqiptare në New York, Lola Luma dhe disa veprimtarë të tjerë të komunitetit.
Kepi drejtoi një ceremoni hapëse, ndërsa këndoi hymnin amerikan sopranoja Lindita Lole. Kuadratin shqiptar e përshëndetën presidenti i Lidhjes Qytetare Joseph DioGuardi dhe Këshilltarja e Çështjeve Ballkanike, Shirley Cloyes-DioGuardi, Konsulli i Përgjithshëm të Shqipërisë, Dritan Mishto, kryetari i Shoqatës Plavë e Guci, Esad Gjonbalaj, gazetari shqiptaro amerikan Mike Adams, ish-kampionin e boksit “Kosova Kid” Elvir Muriqi, këngëtarja Melisa Ademi, Dj Edih, kampioni i notit Sidni Hoxha, baritoni i talentuar Bledar Maqellara dhe kryetari i shoqatës Kombi, Artur Vrekaj. Paradën e shqiptarëve e nderuan me pjesmarrjen e tyre dhe përfaqësuesit e Konsullatës së Kosovës, konsujt Fatmir Zajmi dhe Ymer Berisha,
“Ne sot ndihemi krenarë që jemi shqiptarë dhe le të parkalojmë në këtë paradë, me dinjitet dhe krenari të gjithë së bashku pa dallim feje bindje apo krahine nën sloganin, JEMI NJË”, tha Kepi në fund të fjalës së tij.
Një grup vallëtarësh kishte ardhur me veshjet popullore të krahinës së Çamërisë dhe Malësisë. Grupi i djemëve të Çamërisë marshoi krenarë, ata mbanin në duar pankarta për të drejtat e tyre, dhe dënonin genocidin grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
U shfaqën edhe pankartat e kandidatit shqiptar, për në Këshillin e Bashkisë së qytetit të New Yorkut, Ken Biberaj.
Kudo në shesh shiheshin vetëm simbolet tona kombëtare; bluzat e kuqe me hartën etnike, flamuri kuq e zi, këngët e vallet nga të gjitha krahinat, që i dhanë sheshit America, një imazh të gjallë, entusiast dhe të larmishëm.

Comment

*