Kufizimet e udhëtimit nga COVID-19, në marrjet e vizave dhe hyrjen në SHBA

Përjashtimet në emër të interesit kombëtar: (NIE)

Avokati Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Administrata e presidentit Biden ka deklaruar që në nëntor 2021 do të heqë kufizimet e udhëtimit ndaj vendeve të caktuara dhe në vend të tyre do t’u kërkojë të gjithë udhëtarëve të huaj që përpara se të marrin avionin për në SHBA, të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër Covid-19-ës. Aktualisht, udhëtimet jo-esenciale nga vende të caktuara drejt SHBA-së janë të ndaluara për shkak të pandemisë së COVID-19-ës. Pengesat e vëna për shkak të pandemisë së COVID-19-ës nga institucionet rajonale të shëndetit publik sjellin kufizime udhëtimi për shtetasit e huaj të cilët kanë qenë fizikisht të pranishëm, brenda periudhës 14 ditore që i paraprin momentit kur duan të hyjnë në SHBA, në një nga vendet që janë në listën e ndalim udhëtimeve. Edhe kalimi tranzit në aeroportin e njërit prej këtyre vendeve llogaritet si prani fizike në atë vend.

Nga këto pengesa bëjnë përjashtim persona të caktuar mes të cilëve:

  • Nënshtetasit amerikanë dhe ata që janë të pajisur me green card si dhe anëtarët e ngushtë të familjes së këtyre personave.
  • Dikush që po udhëton me ftesë të qeverisë së SHBA-së apo në përputhje me një marrëveshje të Kombeve të Bashkuara.
  • Persona që udhëtojnë me viza A, C, D, viza të caktuara E-1, G, ose viza të NATO-s.
  • Cilido anëtar i Forcave të Armatosura të SHBA-së me bashkëshorten/in e tij ose të saj dhe fëmijën/t.
  • Mund të bëhet gjithashtu një përjashtim nga pengesat e sipërpërmendura për ata persona udhëtimi i të cilëve është në interesin kombëtar ose çon më tej objektivat e vënies në jetë të ligjeve të SHBA-së.

Për të parë nëse prekeni ose jo nga kufizimet e vëna për shkak të COVID-19-ës apo nëse kualifikoheni për të paraqitur kërkesë për përjashtim, ju lutemi të kontaktoni avokatin tuaj. 

Përjashtimet në emër të interesit kombëtar (NIE-të) për udhëtarë të caktuar  

Udhëtarët me viza emigruese, viza për të fejuarit/at si dhe viza studentore të caktuara F dhe M kualifikohen masivisht për NIE dhe nuk është e nevojshme të aplikojnë në mënyrë individuale për NIE. 

Mes personave të tjerë që kualifikohen për të bërë kërkesë për NIE përfshihen: 

Ata nënshtetas të huaj që kërkojnë të ofrojnë ndihmë drejtuese në nivel ekzekutiv ose mbështetje jetike në “sektorët kyç të infrastrukturës” ose në linjat e furnizimit që lidhen direkt me to (siç përshkruhet në https://www.cisa.gov/critical-infrastructure-sectors), ose që udhëtojnë me viza H, L, O, B, apo përfshihen në programin që lejon udhëtimin pa viza, Visa Waiver Program (VWP)/sistemin elektronik të marrjes së lejes së udhëtimit (ESTA), apo kategori të tjera vizash jo-emigruese pune apo biznesi;

Gazetarët (viza I);

Vizitorë të caktuar shkëmbimi, studentë në kuadrin e programeve të shkëmbimit si dhe akademikë që mbulohen nga programet e vizitorëve të shkëmbimit (J-1).

Mes personave që kualifikohen për NIE përfshihen dhe ata që udhëtojnë për arsye si më poshtë:

  • Trajtimi mjekësor që mund të sjellë shpëtimin e jetës. NIE-ja i jepet aplikantit kryesor dhe anëtarëve më të ngushtë të familjes që e shoqërojnë; 
  • Shëndeti publik, pra rastet kur qëllimi i udhëtimit është lehtësimi i pasojave të pandemisë së COVID 19-ës ose vazhdimi i një pune kërkimore në një sektor shumë të rëndësishëm të shëndetit publik (p.sh. aktiviteti kërkimor dhe shkencor që lidhet me sëmundje ngjitëse apo sëmundje si kanceri);  
  • Udhëtimi për qëllime humanitare, ku përfshihen personat që kujdesen për një nënshtetas amerikan apo për një banor të përhershëm të ligjshëm apo një pjestar të ngushtë të familjes që ka status joemigrues të ligjshëm.  
  • Shoqërues për arsye mjekësore, kujdestarë ligjorë apo shoqërues të tjerë që kërkohen nga shoqëria ajrore apo që kërkohen me ligj nga një entitet i huaj shëndetësor apo i forcave të rendit, që të shoqërojnë një nënshtetas të SHBA-së që po riatdhesohet në Shtetet e Bashkuara;  
  • Siguria kombëtare; dhe  
  • Anëtarë familjeje si bashkëshorti/ja apo fëmija të cilët shoqërojnë apo po shkojnë tek nënshtetasi i huaj të cilit i është dhënë NIE-ja ose që pritet të marrë NIE-në ose që për asnjëlloj arsyeje nuk preket nga kufizimet që parashikojnë Proklamatat presidenciale si dhe që ka një punë të caktuar për një periudhë afatgjatë, është i angazhuar me studime apo punë kërkimore-shkencore për një periudhë katër javore apo më shumë.

Udhëtarët mund të aplikojnë për NIE  në rast se po kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara për arsye që kanë të bëjnë me çështje humanitare, cështje në ndihmë  të shëndetit publik apo çështje të sigurisë kombëtare. 

Udhëtarët e pajisur me viza të vlefshme apo që janë regjistruar në sistemin ESTA në vendet e prekura nga ndalim udhëtimi, duhet gjithashtu të aplikojnë për të marrë një NIE nga qeveria e SHBA-së. Si rregull, në fillim duhet të aplikoni pranë ambasadës/konsullatës së SHBA-së dhe nëse pergjigja prej tyre vonohet apo është negative, atëherë mund të aplikoni pranë agjencisë së doganave dhe mbrojtjes së kufinjve, Customs and Border Protection (CBP).

Cilat janë vendet e prekura nga ndalim udhëtimi?

Mes vendeve të prekura nga kufizimet e udhëtimit të vendosura për shkak të COVID-19-ës, përfshihen Irlanda, Mbretëria e Bashkuar, Zona Shengen (që përbëhet nga 26 vende dhe mbulon thuajse të gjithë pjesën kontinentale të Europës ku përfshihen Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Latvia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Hollanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra), Brazili, Kina, Irani, Afrika e Jugut dhe India.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]