Kujtesë e arsimit të Kosovës në kohën e okupimit serb

Prishtinë, 25 maj 2023 – Në Prishtinë, të enjten, u hap ekspozita “Kujtesa e arsimit në Kosovën e viteve ’90”, e cila dokumenton veprimtarinë e shkollës shqipe në Kosovë në vitet e okupimit nga Serbia. Dokumentacioni shkollor, dëftesat e diplomat, tekstet shkollore e materialet didaktike, gazetat e revistat, botimet e publikimet e fushave të ndryshme, si edhe fotografitë e materialet e ndryshme arkivore që u ekspozuan në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” janë dëshmi e gjallë e rezistencës së shqiptarëve ndaj politikës gjenocidale të Serbisë në Kosovë. Ato e pasqyrojnë sakrificën e jashtëzakonshme të të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare për mbrojtjen e shkollës shqipe nga barbaria e makinerisë ushtarake e policore serbe.

“Ekspozita ‘Kujtesa e arsimit në Kosovën e viteve ’90’ është më shumë se një grumbull letrash, botimesh e materialesh arkivore. Këto shenjojnë ngjarje, momente e organizime që kurrë nuk do t’i qarkojë harresa. Si të tilla, ato janë dhe do të mbeten dëshmi të jetës dhe të fatit tonë, pasqyrim kolosal i së vërtetës në kohë të muzgëta për shqiptarët”, tha Munish Hyseni, drejtor i Bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, i cili ka qenë pjesë e strukturës drejtuese të sistemit arsimor të Kosovës në vitet ’90.

“Këto libra, gazeta, revista, ditarë të punës, diploma e dëftesa, fotografi e dokumente të tjera që po i shihni sot janë një kronikë e gjallë e atyre viteve të rënda, e tronditjeve shpirtërore e fizike, e plagëve të shumta që i përballuam për të mbrojtur qenien tonë fizike, si edhe gjuhën, kulkturën dhe identitetin tonë kombëtar”, theksoi z. Hyseni.

Robert Montoya, Profesor në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, specialist i botimeve të rralla, tha se kjo ekspozitë është më shumë se dëshmi materiale e një periudhe kohore. Ai tha se materialet dhe eksponatet e kësaj ekspozite janë pasqyrim i botës shqiptërore, ndjesive e përjetimeve njerëzore dhe vetëdijes kombëtare.

Z. Montoya, i cili është edhe bashkëkurator i ekspozitës, tha se materiali arkivor për arsimin e Kosovën në vitet ’90 është më shumë se trashëgimi vetëm e Kosovës, është histori frymëzuese për njerëzit arsimdashës.

Zijadin Gashi, i cili ka qenë udhëheqës i struktutës drejtuese të arsimit në komunën e Prishtinës, është autor i një botimi të veçantë të dokumenteve dhe materialit arkivor të shkollës e arsimit shqip në vitet ’90. Ai thotë se në procesin arsimor, në të gjitha fazat e tij, janë përfshirë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare në Kosovë. Ai beson se sistemi arsimor, duke qenë kaq gjithëpërfshirës dhe kaq domethënës për qenësinë kombëtare, ka qenë shtylla kryesore e rezistencës të popullit të Kosovës ndaj okupimit.

 (Ramadan Muçolli)