Kujtesë: Urimi i 16 kongresistëve amerikanë për Presidentin Rugova, pas zgjedhjeve të para demokratike në Kosovë

Muhamet HAMITI

16 kongresistë amerikanë uruan Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e majit të vitit 1992

Nëpërmjet një letreje të përbashkët, 16 anëtarë të Kongresit amerikan, kishin uruar Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992, zgjedhjet e para shumëpartiake në historinë e Kosovës, që u mbajtën para 30 vjetësh.

Në faqen e parë të mesazhit (shih foton e letrës origjinale) dalin emrat dhe nënshkrimet e Eliot L. Engel-it dhe Susan Molinari-t, ndërsa në të dytën të 14 kongresistëve të tjerë, përkrahës të çështjes së Kosovës, ndër të cilët edhe Tom Lantos.

Letra që mban datën 26 qershor 1992 kishte këtë tekst:

26 qershor 1992

I nderuari Ibrahim Rugova

President i Republikës së Kosovës

38000 Prishtinë, Kosovë

I dashur President Rugova,

I kemi përcjellë zgjedhjet kosovare të 24 majit me një përzierje brenge të madhe dhe pritmërie të thellë: brengë se regjimi i Beogradit do të përpiqej të ndalonte me forcë votimet, dhe pritmërie se kosovarët do të ndërmerrnin një hap tjetër vendimtar drejt pavarësisë dhe demokracisë së lirë.

Duam t’ju përgëzojmë për zgjedhjen tuaj pothuaj unanime si President dhe t’ju dëshirojmë më të mirat në punët e vështira që ju presin.  Jemi në dijeni se ju dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, të sapokonstituuar, keni vendosur të qëndroni në Kosovë dhe që Qeveria juaj e re të veprojë hapur.  Rreziqet që ju dhe kolegët tuaj keni përballuar dhe po përballoni janë të hatashme dhe ne do të bëjmë çmos t’ju përkrahim ju dhe anëtarët kosovarë të Kuvendit gjatë kësaj kohe të vështirë.

Bashkësia ndërkombëtare më në fund ka nisur ta kuptojë se çfarë regjimi kontrollon ushtrinë serbe dhe na mban shpresa se Millosheviqi dhe përkrahësit e tij do të nisin të ndiejnë së shpejti efektet e qortimeve të forta ndërkombëtare. Në synojmë të vazhdojmë të angazhohemi për liri politike në Kosovë dhe të kundërshtojmë politikat brutale dhe të gabuara të Qeverisë së Beogradit.

Edhe në një herë, në fund, ju përgëzojmë për fitoren tuaj të thellë në zgjedhje dhe mezi presim të bashkëpunojmë me ju në të ardhmen.

Përzemërsisht,

Eliot. L. Engel, Susan Molinari, William Broomfield, Dick Swett, William Zeliff, Tom Lantos, Frank Horton, Albert Bustamante, Michael McNulty, Wayne Owens, Don Ritter, James Sensenbrenner, William Dannemeyer, Jolene Unsoeld, Charles Wilson, Elton Gallegly, anëtarë të Kongresit Amerikan.

(Muhamet Hamiti ka qenë bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka qenë këshilltar për medie, zëdhënës dhe këshilltar politik deri në orën e fundit të jetës së Rugovës)