Kujtimi i genocidit në Çamëri i troket në derë Misionit Grek në Nju Jork

Pas 75-vjetësh shqiptarët nuk harrojnë tragjedinë, kërkojnë drejtësi dhe dëmshpërblim për krimin e spastrimit etnik

Nga Ruben Avxhiu

Kanë kaluar tre të kartërtat e një shekulli që kurse fashistët grekë, me në krye kolaboracionistin nazist Napoleon Zerva shpërngulën në masë pjesën më të madhe të popullatës shqiptare nga krahina e Çamërisë, me pretekstin e hakmarrjes për bashkëpunim me nazistët.
Gjatë këtij akti genocidal dhe spastrimi etnik flagrant, humbën jetën shumë civilë të pafajshëm, shumica gra, pleq e fëmijë. U bënë ekzekutime me gjak të ftohtë, masakrime mizore ndaj njerëzish të pambrojtur, përdhunime të turpshme, e vjedhje e grabitje skandaloze.
Për 75 vjet me radhë, Greqia zyrtare ka bërë çmos që ta mbulojë turpin e këtij akti çnjerëzor, e kësaj njolle të historisë së saj moderne, po ka dështuar.
Ka disa vjet tashmë që kujtesa kombëtare shqiptare për këtë tragjedi sa vjen e forcohet. Ndërsa numri i të mbijetuarve të saj vjen duke u rralluar për shkak të moshës, stafeta është kaluar me sukses në duart e një brezi më të ri.
Dje, kujtimi i tragjedisë konsullatës greke e Misionit në OKB, të Greqisë në New York i trokiti në derë. Me organizimin e organizatës Rrënjet Shqiptare, me në krye Presidentin e saj Marko Kepi, komuniteti shqiptaro-amerikan bëri një protestë të zjarrtë në trotuarin e përfaqësisë diplomatike greke.
Shqiptarët me dinjitet kërkuan drejtësi e jo hakmarrje. Kërkuan njohjen e krimit që ai të mos përsëritet më. I kërkuan Greqië që ta njohë e ta pranojë krimin e genocidit që të mos i rëndojë në ndërgjegje e të mos mbetet e njollosur si komb. Gjermania ka rifituar respektin sot në botë se njohu krimet e nazistëve. Greqia ende nuk e ka gjetur guximin të përballet me historinë e saj. Po nëse ajo mendon se mund t’ia hedhë nga pluhuri i haresës, protesta e sotme i kujtoi se po gënjen veten.

Sali Bollati dhe Marko Kepi, ura e dy brezave

Dy figura të komunitetit shqiptar në protestën për Çamërinë simbolizojnë dështimin e propagandës greke për të manipuluar me historinë.
I pari, Sali Bollati, është një i mbijetuar i madh i masakrave, një dëshmitar historik që jetoi për t’i treguar botës çfarë pa me sytë e tij, çfarë përjetoi familja e tij e bashkatdhetarët që u shpërngulën me forcë nga trojet e shtëpitë ku të parët e tyre kishin jetuar që nga kohët më të lashta.
Tjetri është Marko Kepi, themelues i Rrënjëve Shqiptare, më shumë se gjysëmshekulli më i ri se Sali Bollati, që ndonëse është me prejardhje nga veriu, kauzën e Çamërisë e ka marrë për zemër dhe e ka vënë në ballë në punës së tij. Edhe parada madhështore shqiptare e këtij viti, në New York, pati si temë të sajën Çamërinë.
Sali Bollati dhe brezi i tij më kujtojnë hebrenjtë që i mbijetuan Holokaustit e që druhen se çfarë do të ndodhë me kujtimin e tragjedisë kur të mbijetuarit e fundit nga ajo kohë nuk do të jenë më. Kjo i ka bërë që të rindezin përpjekjet që tragjedia të mos harrohet se duke mos u harruar nuk do të ripërsëritet.
Sali Bollati dhe të mbijetuarit e tjerë të tragjedisë çame e kanë realizuar me sukses këtë mision. Sot, ka më shumë të rinj sesa të moshuar në marshimet për Çamerinë, si në diasporë ashtu edhe në atdhe. Kujtimi i masakrave nuk u myk në librat e frohtë të historisë, po është rindezur në zemrat dhe mendjet e shumë shqiptarëve që duan të shohin drejtësi.
Të rinjtë energjikë si Marko Kepi janë pjesë e një bote që po vjen dhe jo e asaj që mbaroi. Ata janë shpresa dhe besimi se drejtësia vonon po ajo nuk harron.
Ka një gërshetim të jashtëzakonshëm në çiltërsinë dhe natyrën e drejtpërdrejt të retorikës së të mbijetuarit 82-vjeçar dhe artikulimit modern të mesazhit të protestës nga drejtuesi i ri i lëvizjes së fuqishme rinore shqiptaro-amerikane. Dinamika mes tyre dallohej nga biseda me gazetarët greko-amerikanë që intervistuan pjesëmarrësit te mënyrat me të cilat influenconin frymën e protestës, në këtë mesditë të nxehtë qershori.

Dështon me turp kundërprotesta e sajuar nga konsullata greke

Ne sfond, nje grusht grekësh u përpoqën më kot të provokojnë shqiptarët apo të manipulojnë publikun.

Shqiptarët duke iu kundërpërgjigjur grekëve përballë.

Bashkë me protestuesit shqiptarë u shfaq edhe një grup i vogël prej 5-6 grekësh që u vendosën në krahun tjetër të derës së selisë së Misionit të Greqisë në OKB, në Rrugën e 79.

Me një flamur grek e me një pankartë ku veç të tjerash dallohej figura e terroristit Kostandino Kacifa, që u vra në Shqipëri pasi hyri i armatosur nga Greqia dhe qëlloi me armë gjatë një ceremonie për ushtarët grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Kacifa, i lindur në Shqipëri dhe i radikalizuar në Greqi, është nga ata element ekstremistë e fanatikë që kërkojnë rindezjen e luftrave në Ballkan. Ai është nga ata terroristë që duhet të dënohen nga qeveritë e të gjitha vendeve.

Për fat të keq, ai ishte mesa duket në mendjen e kundërprotestuesve grekë figura me të cilën duhej barazpeshuar viktimat e mijëra civilëve të pafajshëm të Çamërisë, që u vranë jo me armë në dorë duke prishur një ceremoni si i marri Kacifa, po duke u ngritur me dhunë nga shtretërit e shtëpive të tyre ku po flinin nga Kacifat e viteve 1940.

Thirrjet e tyre provokuese që shpresonin të nervozonin shqiptarët u mbytën nga buçitja e këngëve të bukura çame që kishin sjellë protestuesit shqiptarë, nga brohorimat me vend, plot pasion të shqiptaro-amerikanëve. Fyerjeve provokuese nga grekët humbën në korin dinjitoz të komunitetit tonë. Sidomos, kur Marko Kepi lexoi me durim e qetësi emrat fëmijëve shqiptarë të Çamërisë, që u vranë nga forcat e Napoleon Zervës 75-vjet më parë. Pas çdo emri Marko Kepi lexonte moshën. Ishte një moment simbolik. I rëndë, por dinjitoz.

Në një moment, grekët e mbledhur filluan të bërtasin “USA! USA!” për t’i dhënë kalimtarëve përshtypjen se protesta shqiptare ishte anti-amerikane. Ishte e bukur se shqiptarët e mbledhur, menjëherë lanë të gjitha parullat e tyre dhe filluan edhe ata të thërrasin “USA! USA!”. Përballë, spekatorëve të rastit e gazetarëve, e kalimtarëve të habitur, që shihnin dy grupe kundërshtare që brohorisnin të njëjtën gjë. Kuptohet “USA!” e shqiptarëve, që kishin 10 herë më shumë pjesëmarrës ishte shumë me fuqishme. Në fund grekët e lanë këtë taktikë, kur e panë se dështuan.

“Ju nuk jeni ilirë”, bërtiti një nga grekët!

“Ik ore turq që hiqeni si grekë”, ua ktheu një nga shqiptarët. Plasi e qeshura.

Një tjetër nga shqiptarët e mbledhur që shpërndante shishe uji, mes vapës së fortë, kërkoi t’u jepte edhe grekëve, po policët nuk e lanë se kishin frikë nga ndonjë kacafytje.

“Ne nuk jemi si ata”, tha shqiptari. “Ne i japim ujë atyre që kanë etje pavarësisht nga kombësia”.

“Nga ç’po shoh unë nuk e meritojnë ujin”, tha një nga oficerët e policisë.

Në fund, protestuesit grekë mblodhën rraqet e u futën të gjithë në konsullatë.

Kjo lloj mbyllje e kundërprotestës, ngre disa pyetje. A ishin këta “komuniteti grek” apo punonjës e familjarë të Misionit të Greqisë në OKB, që u përpoqën të manipulonin publikun me “anën tjetër” të argumentit?

A ishte kjo një pseudo-kundërprotestë e sponsorizuar nga qeveria greke? Nëse po, kjo sjell pyetje të tjera.

Pse zgjodhi kundërprotesta Kostandino Kacifasin si figurë e viktimë të “kolaboracionizmit” shqiptar? Pse po pranon qeveria greke të prezantohet me një terrorist, duke e ofruar si një viktimë?

Në SHBA protestat pranë ambasadave dhe konsullatave janë diçka e zakonshme. Nganjëherë paraqiten edhe protesta e peticione, që u dorëzohen zyrtarëve të këtyre përfaqësive. Janë pjesë e natyrës së demokracisë amerikane që lejon raporte të tilla. Po ku ndodh ndonjëherë që të dalin pjesëtarë të përfaqësive dhe të hiqen si kundërprotestues.

Duke pritur më shumë nga shteti shqiptar

Protestuesit nuk i kursyen kritikat për qeverinë shqiptare. Politikanët shqiptarë ende nuk e kanë gjetur kurajon të kërkojnë drejtësi historike nga Greqia.

Marko Kepi u ankua se qeveria shqiptare nuk ka guxuar as që ta njohë e të mësojë më shumë për paradën që u bë në emër të Çamërisë.

Në mënyrë simbolike, protestusit në fund të manifestimit përpara Misionit të Greqisë, udhëtuan përgjatë Rrugës së 79, deri sa mbërritën përpara Misionit të Shqipërisë ku protestuan mungesën e shtetit shqiptar në përkujtimin e 75-vjetorit të një prej tragjedive më të rënda që ka njohur populli ynë.

Duhet të jenë grekët ata që duhet t’i fshihen këtij përvjetori e jo shqiptarët. Ne ishim civilë që u nxorrëm për leckash nga shtëpitë tona, na vranë, na rrahën, na përdhunuan, na zvarritën pleq, gra e fëmijë nëpër male e pyje deri në kufi me Shqipërinë ku na shtynë pa mëshirë, si të ishim kafshë e jo njerëz.

Na ndanë në mënyrë fetare, që të krijonin vëllavrasje, na akuzuan për kolaboracionistë e bashkëpunëtorë me nazizmin, po ishte një gjeneral kolaboracionist ai që kreu shpërnguljen e masakrat. Çamët tani po e tregojnë historinë e tyre. Po i tregojnë sesi kanë qenë pjesë e rezistencës kundër pushtuesit nazist e kush ishin kolaboracionistët grekë që bënë spastrimin entik. Edhe sikur të kishte qenë e vërtetë, propaganda e turpshme greke, çfarë justifikon dhunën mbi fëmijët? Ishin fëmijët kolaboracionistë? Gratë e pleqtë që rrinin në shtëpi? Ku ishin gjyqet me provat e bashkëpunimit? Ku ishte drejtësia? Në vend të saj ishin nacionalistë të çmendur, po aq nazistë sa ata që fantazon Greqia që ka luftuar në Çamëri.

Shteti shqiptar nuk po ftohet të tregojnë nacionalizëm po humanizëm. Fotografitë e çamëve të dëbuar, vuajtja e këtyre civilëve është e dokumentuar pikërisht nga OKB. Ishte një nga punët e para që ka bërë OKB që kur është krijuar, kujdesi humanitar për refugjatët çamë. Mjafton të kishim nxjerrë fotografitë që vetë OKB ka ruajtur e nga e cila dimë sot historinë.