Kumti i lirisë e i bashkimit i Mbretit Gjergj

Ribotim i redaktuar nga autori me rastin 545 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar



Nga Anton Çefa

E quajte veten “Mbreti i Epirotasve dhe i Maqedonasve”, në emër të fiseve të hershme e të lavdishme ilire, po ishe Mbreti i Arbërve.
Hyre në histori me një emër të dyzuar: me emrin e truallit dhe me atë të të huajit dhe i ndave kohërat e fatet më dysh, me shpatën e Arbërit.
Hyre në luftë me Flamurin e Arbërit, ku valëvitej krenare dhe kërcënuese një shqiponjë me kokë të dyzuar. (Ç’ të lexojmë në të, Mbreti ynë: profeci, shqetësim, vigjilencë, apo fatalitetin e Arbërit?).
Të ndoqi hija e dyzimit, Mbreti ynë, siç e ndoqi dhe e ndjek historinë e kombit tonë ky dyzim i shtrirë mes dy kontinenteve, mes dy botëve, mes dy qytetërimeve, mes dy kishave, mes dy besimeve.
Me madhështinë e personalitetit tënd dhe me trimërinë e bëmave Tuaja, Ti i kapërceve të gjitha dyzimet, sepse Shpirti Yt qe i njësuar tek liria, tek ideali i bashkimit të gjakut, të gjuhës, të kombit.
Eshtë ky kumt – kumti i lirisë dhe i bashkimit – që shqiptarët e kanë ndjerë gjithnjë deri në skutat më të skajshme të vetëdijes së tyre arbërore. Eshtë ky kumt që shqiptarët ia kanë pasur dhe do t’ia kenë nevojën gjithnjë. Kumti që e shenjtërove, Ti, Mbreti ynë i dashur !
Na the: “Lirinë e gjeta në mes tuaj”. Vërtet, lirinë e kemi pasur gjithmonë me vete, në shpirt. Ti i dhe frymën e bashkimit dhe forcën e krahut dhe me to zulmën e lavdisë.
Në zemër kishe shqiponjën dhe, për t’i dhënë një kuptim të ri kombit, e vure në flamur, në parzmore, në vulë, në unazë. Në përkrenare kishe brirët e dhisë, mishërim i forcës së orëve e të zanave të alpeve tona, relike trojesh mitike.
E ngrite në Krujë Flamurin, duke pikëzuar historinë në një datë: 28 Nëntor. Eshtë kjo datë që ringjall hijen tënde në Krujë, në Deçiç, në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë.
Vonë, shumë vonë erdhe në Prishtinë, sado që atje ke qenë më i pranishëm se kudo, dhe trevat dardane i ngazëlleve me magjinë e triumfit. Shpirt i ngurtësuar në shkëmb, shkëmb i trajtësuar në shpirt. Monument i lirisë dhe i pavarësisë, emblemë e lavdisë .

* * *

Po vij tek Ti sot, Mbreti ynë, të lutem dhe të rrëfehem. Po vij në Krujë, po vij në Vlorë, po vij në Tiranë, po vij në Prishtinë, po vij në Tetovë. Po vij të të lutem për popullin tim, kombin më të lashtë të Europës, të lutem për shtetin shqiptar – shtetin që nuk është formësuar ende i plotë. Po të lutem që ta ribësh me frymën e me kumtin tënd të lirisë e të bashkimit. Bashkimit të zemrave, bashkimit të trojeve.
Koha Yte qe koha e bashkimit në luftë kundër armikut, që kishte ardhë tek porta. Koha jonë është koha e politikës, koha e grindjeve të turpshme për portofole ministrish e karrige deputetësh, koha e makiavelizmit, e prostitucionit, e çoroditjes.
Ti i dhe Arbërit dinjitetin para Europës dhe botës. Iu bëre krah mbrojtës i qytetërimit. Europa të ra ndër këmbë dhe, më vonë, të përjetësoi në monumente; por ne, bijve Tu, na harroi dhe na braktisi dhe sot nuk na begenis. Për faje të sajat dikur, për faje tonat sot.
Ti na dhe Kanunin e Nderit e të Besës. Ne, “stërnipërit e dikurshëm të një race së vjetër dhe bujare”, po e përdhunojmë atë çdo ditë. Po e përdhunojmë në Vlorë, në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup.
Me Besën e Lezhës i bashkove princat e lavdishëm, po kokëfortë e të pabindur. Na bashko edhe një herë me hirin Tënd ne, kulltukofagët, karieristët, partiakët, ngatrrestarët, kokëkrisurit! Na blato me shenjtërinë e bashkimit dhe na largo stihitë e përçarjeve, që na fanitën çdo ditë, çdo orë, çdo minut !
Dhe të gëzojmë, bashkë me Ju, duke pritur ditë të mira për kombin. Të gëzojmë, Mbreti ynë, Gjergj! Ditë të bukura për Arbërin po vijnë!

Comment

*