Kundër krimit duhet bashkim kombëtar

Ruben Avxhiu

Lajmi nga Hollanda për aktivizimin e mekanizmit për rivendosjen e vizave për shqiptarët është një fatkeqësi kombëtare dhe duhet trajtuar si e tillë.
Disa gjëra duhen pasur parasysh, se janë shumë të qarta dhe kush i mohon gënjen veten.
E para, qeveria e kryeministri Edi Rama, nuk mund të pretendojë monopolin e suksesit të heqjes së vizave dhe pastaj të kërkojë të ndajë dështimin me forcat e tjera politike. Është e vërtetë se këto vendime janë meritë dhe faj i mbarë klasës politike, po forcat në pushtet flasin në emër të të gjithëve dhe ky vendim i fundit nga Hollanda është në qafë të tyre.
Unë nuk e di se çfarë duhet të bëjë konkretisht Rama e kolegët e tij në qeveri po më duket e pabesueshme që pavarësisht se për shumë vite me radhë, problemi kryesor i tyre ka qenë rendi, shumica e pakënaqësive të shqiptarëve lidhen me rendin e krimin, shumica absolute e akuzave nga opozita përqendrohen te rendi, shumica e shkrimeve negative për Shqipërinë si dhe ngurrimet e ndërkombëtareve, si diplomatë, biznesmenë, investitorë e turistë kanë të bëjnë pikërisht me rendin dhe kriminalitetin, nuk shoh një furtunë në Ministrinë e Brendshme, nuk shoh një ripërkushtim të fondeve, të kërkesës për ndihmë nga jashtë, të afrimit të njerëzve më të zotë në atë drejtim.
Së dyti, përfaqësues të opozitës shqiptare duhet të fshehin disi ngazëllimin për lajmin se më shumë se humbje për qeverinë, kjo është një humbje për të gjithë shqiptarët. Pak në mos aspak ndryshon në jetën e përditshme për njerëzit në qeveri, pushtet, po edhe për shumë drejtues të opozitës.
Lajmi nga Hollanda mund të shënojë një humbje për qeverinë, po nëse opozita duket sikur po e feston lajmin, kjo jo vetëm që nuk zhvendos elektoratin drejt saj, po rrezikon ta bëjë të ndjejë solidaritet me qeverinë.
Opozita sigurisht ka të drejtë të trajtojë lajmin si një vërtetim të shqetësimeve dhe paralajmërimeve të shprehura prej saj, po duhet të bashkohet në mërzinë kombëtare nëse kërkesa e Hollandës bëhet realitet. Le ta mendojnë kështu, kur të vijnë në pushtet, në vend që të fillojnë të hapin kapituj për integrimin me BE-në do të rikthehen të ribëjnë luftën mëparshme për heqjen e vizave. Në planin e përgjithshëm, edhe nëse kanë sukses, Shqipëria do të ketë bërë thjesht vendnumëro.
Së treti, duhet një analizë e thellë e problemeve se pse Shqipëria e vogël pjell kriminalitet kaq të madh.
Realiteti i hidhur shqiptar ka qenë dhe mbetet veprimtaria e grupeve të egra kriminale, që tani veprojnë në mbarë Europën. Me të drejtë ngremë zërin kur na portretizojnë, paragjykojnë, e përbaltin lidhur me krimin. Shqiptarët janë masivisht emigrantë model, vizitorë e turistë zemërgjerë, njerëz të shoqërueshëm me interesa. Po kjo nuk mjafton. Përtej padrejtësisë ka një realitet që nuk ikën vetëm me reklama, ankesa e shembuj pozitivë.
Shqiptarët mund të mos kenë ndonjë numër më të madh kriminelësh se kombet e tjera, po nuk ka dyshim se kriminelët tanë janë nga më të suksesshmit. Në konkurrencën e zezë të nënbotës së krimit, ne kemi dalë disa herë në finale, në mos kampionë të Europës.
Po është një nga ato suksese që na dëmtojnë të gjithëve.
Është e padrejtë që për hir të këtyre kafshëve me dy këmbë të ndëshkohet e gjithë Shqipëria, po e vërteta është se masat merren në bazë shtetesh dhe përgjegjësia e parë i takon vendit nga eksportohen këta kriminelë, Shqipëria.
Nuk e di se çfarë i bën bandat shqiptare të krimit kaq të suksesshme, sidomos në Hollandë, Belgjikë, po edhe në disa vende që dalim kaq shumë në pah. Ka më shumë besnikëri ndoshta mes pjesëtrëve të grupeve shqiptare. Mund të jenë organizimi në bazë të lidhjeve të gjakut brenda bandave, mund të jetë egërsia dhe brutaliteti i treguar, mund të jetë mungesa e empatisë njerëzore, gatishmëria e budallallëku i çastit për të rrezikuar kokën, mund të jetë fati, zgjuarsia, etj. Cilado qofshin faktorët e suksesit, pa dyshim, këtu ka ndihmon edhe mundësia për t’u rikthyer në “bazë”, në një shtet ku drejtësia e rendi kanë shumë vrima. Këtu është një shoqëri që është e zhytur në korrupsion, një shtet ku servilizmi dhe frika kanë më shumë potencial promovimi sesa integriteti dhe frika. Po kjo është edhe një shoqëri që ka tolerancë të lartë për krimin, që kultivon një lloj mahnitjeje ndaj suksesit që vjen brej banditizmit, që fetishizon trimin me armë në dorë që nuk pyet për policinë e cila historikisht ka qenë e të huajit në mos e diktatorit. Është një shoqëri ku lidhjet e gjakut dhe ato familjare e miqësore janë më të rëndësishme se e drejta dhe e moralshmja.
Ka rëndësi për ata që duan vërtet një fitore mbi krimin të kuptojnë se ky problem nuk zgjidhet vetëm me ndryshime politike e qeverish, ndonëse nganjëherë një qeveri e meriton të bjerë për t’u bërë shembull. Ka madje plot ndryshime të gjashtë viteve të fundit, në policinë shqiptare, që do të kisha dashur që qeveria e ardhshme t’i mbante e t’i ruante. Mjaft me “vitin zero”, pas çdo ndërrim qeverie.
Po mbi të gjitha, unë besoj se lufta kundër krimit e për zgjatim edhe kundër korrupsionit, kërkon një rifillim të madh kombëtar, një lloj “besëlidhje të Lezhës”. E di që tingëllon naïve dhe qesharake. Po një pakt kombëtar kundër krimit është një stacion të cilin nuk mund ta anashkalojmë si shoqëri. Mbase do të kërkojë një klimë tjetër politike, ndoshta një brez të ri udhëheqësish, në mos një klasë të re politike, Mbase do të kërkojë disa figura e ikona të reja të luftës kundër krimit, policë e juristë që i imponohen si heronj shoqërisë së sëmurë shqiptare, duke sakfirikuar për të si për dikë që nuk ta çmon sakrificën.
Mjerë ai vend që ka nevojë për heronj thotë një shprehje, po ky vend ka nevojë për heronj madje edhe dëshmorë të luftës kundër krimit. Ka nevojë për një fillim të ri në shumë mënyra. Një rilindje madje. Jo si slogan fushate, po si një epokë reale historike. Jo për vajtje pa viza në Europë, po për një jetë më të mirë, më të lirë, e më me dinjitet.