Kundërshtarët e Kadyrovit mohojnë “përfshirjen e çeçenëve dhe çerkezëve” në Kosovë

Prishtinë, 22 gusht 2022 – Figurat opozitare çeçene, Akhmed Zakaev dhe Dzhambulat Suleimanov, e kanë mohuar përfshirjen e “grupeve të caktuara çeçene dhe çerkeze” në aksione në Kosovë, siç pretendoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të dielën, më 21 gusht, Vuçiq tha se Serbia ka informacione se para përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, më 31 korrik, një grup çeçenësh dhe çerkezësh, kundërshtarë të regjimit të liderit çeçen Ramzan Kadyrov, kanë qëndruar në Kosovë. Sipas tij, ata kidhin detyrë të vëzhgonin situatën në veri të Kosovës dhe të rekrutonin vullnetarë për të luftuar kundër rusëve në Ukrainë.

“Është evidentuar qëndrimi (në Kosovë) i një grupi që përfshinte Ahmed Ruslanovich Bahayev, Idriz Arzasanov, H.A. dhe M.A, persona të lidhur me Dzhambulat Suleimanov dhe Akhmed Zakaev, kundërshtarë të njohur të Ramzan Kadyrov,”, tha Vuçiq.

Por, Akhmed Zakayev, kryeministër në mërgim i Republikës çeçene të Içkerisë, pavarësia e së cilës nuk njihet, i ka thënë Shërbimit të Radios Evropa e Lirë për Kaukazin Verior se nuk di për çfarë ka folur Vuçiq,

“Nuk kam ide se për çfarë bëhet fjalë”, ka thënë ai.

Edhe Dzhambulat Suleimanov, i cili e udhëheq Komitetin e Fondacionit Shtetëror çeçen “Tolam”, me seli në Evropë, e ka thënë të njëjtën gjë.

“Mendoj se ky është një provokim nga ana e Serbisë, aleates së Rusisë”, ka thënë ai.

Zakaev dhe Suleimanov kanë thënë gjithashtu se nuk i njohin personat emrat e të cilëve i përmendi Vuçiqi.

Sipas Vuçiqit, më 3 gusht, këta persona janë takuar me shtetasin turk D.I.H në Zubin Potok, në veri të Kosovës.

“Ata shprehën interesim për gatishmërinë e serbëve për t’iu kundërvënë autoriteteve në Prishtinë, se si dhe në çfarë mënyre mund të ofrojnë informacione për shërbimet e tjera të huaja të inteligjencës për të neutralizuar grupet e armatosura të serbëve në veri të Kosovës”, tha Vuçiq.

Sipas tij, këto grupe çeçenësh dhe çerkezësh kanë hyrë në Kosovë me një automjet me targa të Novi Pazarit, qytet në Serbi.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me pyetjen nëse kanë informacione për pretendimet e Vuçiqit se tre personat të entisë çeçene dhe çerkeze kanë hyrë në Kosovë, por nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkaq, Blerim Vela, shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se asnjë çeçen dhe çerkez nuk është përfshirë në zhvillimet në Kosovë.

“Kjo dezinformatë i shërben narrativit të Rusisë”, ka thënë ai, duke theksuar se “asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkuar luftës në Ukrainë”.

Serbia dhe Republika ruse e Çeçenisë nuk kanë raporte intensive ekonomike dhe politike, por në fund të qershorit të vitit 2021, një delegacion i Forumit Mysliman Evropian, që udhëhiqet nga Abdul-Wahed Niyazov, i cili në Rusi konsiderohet si bashkëpunëtor i afërt i presidentit rus, Vladimir Putin, e kishte vizituar Novi Pazarin.

Ai kishte premtuar se me mjete të Republikës Çeçene do të ndërtohej Qendra arsimore islamike për mësimin e Kuranit. Ky institucion është thënë se do të emërtohej me emrin e Ahmad Kadyrovit, babait të liderit aktual çeçen.

Abdul-Wahed Niyazov, së bashku me një delegacion të Forumit Mysliman Evropian, e kishin vizituar Kosovën më 6 korrik të vitit 2021. Asokohe, kryeimami i Kosovës, Vedat Sahiti, i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka pasur informata se me kë kanë afërsi anëtarët e këtij delegacioni dhe as me pretendimet se Niyazov është i afërt me Kremlinin.

(Sipas REL)