Kupchan: Ballkani Perëndimor është në listën e prioriteteve të SHBA-së

Uashington, 23 tetor 2021 – Charles Kupchan, ekspert i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara, njëherësh profesor në Universitetin Georgetoën në Uashington, ka thënë se administrata e Presidentin Biden e ka futur rajonin e Ballkanit në listën e prioriteteve të larta.

Kupchan, në një intervistë për Radion Evropae Lirë, ka thënë se prandaj nuk është befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë me përvojë në Kosovë, në Serbi dhe në Bosnjë e Hercegovinë, dhe zëvendës-ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, të dërguar për Ballkanin. Ai ka thënë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i preokupuar me Ballkanin.

“Nuk jam i befasuar që Departamenti amerikan i Shtetit ka emëruar diplomatë shumë të talentuar dhe me përvojë për këto pozita, për dy arsye. Njëra është që vetë presidenti (amerikan, Joe Biden) është i interesuar për Ballkanin. Ai ka qenë i përfshirë në rajon për dekada. Një nga udhëtimet e tij të fundit, sa ka qenë nënpresident, kanë qenë në Prishtinë dhe Beograd. Ekziston një rrugë që është në emër të djalit të tij në Kosovë. Pra, është person që ka lidhje për kohë të gjatë me këtë rajon”, ka thënë Kupchan, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Kupchan ka thënë se në administratën e presidentit Biden është ngritur niveli i prioritetit për Ballkanin dhe ka shprehur bindjen se ndër prioritetet është edhe integrimi i plotë i rajonit në institucionet atlantike.

Cupchan ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duan të zgjidhin modmarrëveshjet në Ballkanin Pereëndimor në mënyrë që ta mbajnë rajonin larg ndikimit rus dhe atij kinez.

“Vlen të përmendet se ajo çfarë po motivon të dyja palët e Atlantikut janë Rusia dhe Kina. Rusia ende përpiqet të shfrytëzojë mosmarrëveshjet politike në rajon, në të mirë të saj. Kina është duke tentuar të depërtojë në Evropën Juglindore. Prandaj SHBA-ja dhe BE-ja dëshirojnë ta mbajnë Ballkanin Perëndimor larg ndikimit rus dhe atij kinez. Dhe kjo gjë nënkupton zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike dhe drejtimin e të gjitha shteteve të rajonit në rrugë për anëtarësim në BE dhe NATO”. ka thënë ai.

Kupchan ka folur edhe për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka thënë arritja e marrëveshjes do të jetë shumë e vështirë, por me rritjen e presionitndaj palëve mund të ketë një përparim.

“Ato çfarë do të shohim tani janë përpjekje për të kaluar në aspektin politik dhe për të normalizuar marrëdhënet në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk e besoj që dikush ka iluzione për këtë punë. Do të jetë e vështirë. Politika në të dyja anët është shumë e vështirë. Mirëpo mendoj se janë bashkuar forcat në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që mund të krijojnë presion të jashtëm dhe stimujt e nevojshëm për të orkestruar përparim”, ka thënë Charles Cupchan.

(r.m.)