Kur dëgjova për herë të parë për Ernest Koliqin

Kolec Traboini

Kolec Traboini

Emrin e Ernest Koliqit e kam ndigjue pas kthimit nga ushtria kur mezi gjeta një punë të rëndë krahu në sheshin e stivimit në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Tek reparti mekanik punonte edhe Viktori. Ishtë një burrë i urtë, i martuar, familjar i rregullt dhe njeri që përmes syzeve të trasha shprehte një inteligjencë të madhe, por po aq e madhe ishte edhe vetërmbajtja e tij për ta shfaqur atë përmes fjalës. Ishte si fjalpremë.
Në ato katër vjet që punova bashkë me të, jo pak raste na qëlloi të bisedonim por gjithnjë për probleme të rëndomta, të zakonshmet e ditës. Ishte shumë i kujdesshëm dhe nuk hapte asnjë bisedë me nisiativën e vet. Si të thuash ishte i pranishëm, e thoshte fjalën e vet në të rrallë, por gjithçka rreth zanatit, rreth punëve në fabrikë. Edhe pse i druajtur dukej njeri shumë i sinqertë. Kishte një biçikletë dhe me atë nga puna në shtëpi duke kaluar përmes zonës industriale të Shkodrës. Kur merrja biçikletën e një të afërmit tim për të shkuar në punë, më qëllonte të ktheheshim si të thuash rrotë në rrotë. Por unë merrja kthesën në Gjuhadol e ai vazhdonte rrugën drejt përmes Piacës.
Një nga shokët e mi të brigadës së stivimit, Palok Kurti, nipi i Palok Kurtit të vjetër, kompozitorit të parë shqiptar, që e kishin sjellë nga dega Bankës së Shtetit në prodhim, meqë njiheshim si familje (babai im kishte qënë mik me Ded Thanin, vjehrrin e Palokës e babai i Tinka Thani-Kurti), më tha njëherë se Viktori ishte nga një familje shumë e nderuar në Shkodër. Vëllai i vet ishte shkrimtar i madh, kishte qënë ministër në kohë të Italisë e atbotë jetonte në Romë. Viktori ishte i martuar, kishte fëmijët e vegjël dhe punonte fort, se i duhej me ndihmue edhe vëllain që e kish pasë prift, por jetën e kalonte burgjeve, ish dënuar disa herë. Pas viteve ’90-të mësova edhe emrin e vëllait të Viktorit, Mikel Koliqi që Papa Gjon Pali II e bëri kardinal.
Asokohë kur punoja punëtor në kombinat, nisa të shkruaja tregime dhe kisha një dëshirë të madhe të njihja autorë ndaj e kam pyetur Palok Kurtin se kush ishte ai shkrimtar se nuk kisha parë asnjë shkrim të tij. Më tha se ai ishte i ndaluem dhe quhej Ernest Koliqi. Ma i madhi i shkrimtarëve shqiptarë në prozë, më tha në afinitet Palok Kurti.
Rasti e solli që të njëjtën konsideratë të ma thoshte Frederik Rreshpja, por në një mënyrë tjetër. Po sjell një fragment nga kujtimi im për Frederik Rreshpën, por që ka lidhje me Ernest Koliqin: Frederiku ka qenë e mbetet një poet i madh… por në jetë ka qenë plangprishës po aq i madh i vetvetes, veç kurrë i të tjerëve, sepse pavarësisht një nihilizmi të lehtë në të shprehur, ai kurrë nuk kishte zemërligësi. Ai të fliste siç flet pasqyra para portretit tënd… Qëkur e kam njohur në vitin 1969, ashtu ka qenë, një grusht njeri që jetonte i zhytur në fantazi dhe kurrë nuk arriti të orientohej në realitet. Një njeri me të cilin shëtisnim mbrëmjeve në Fushë Çelë bashkë me Tonin Shtjefnin, Alfred Çapalikun, Dodë Kaçajn e letrarë të tjerë të asaj kohe. Por Fredi me ne ishte edhe nuk ishte. Bariste mbrëmjeve në Pjacë me shikim të përhumbur në fytyra njerëzish, ndoshta për të dalluar Lorën e tij inegzistente, që edhe ajo banonte nëpër fantazinë rreshpjane në rrugën “Gjuhadol”.
Frederiku hidhte ndonjë fjalë e gjendej diku tjetër. Shprehjet i kishte të mençura, por të ftohta si heje akulli me majë të mprehtë, që nuk të thernin, por të preknin ftohtë, në zero gradë, ku pikat e ngrirje-shkrirjes afrohen deri në mosdukje.
Shkruanim edhe ne asokohe, po ku Fredi e ku ne. Që nga Dajçi i bregut të Bunës, ku punonte në një zyrë, kishin nisur të lulëzonin lirikat e para, krejt ndryshe prej poezive të kohës. Ato ishin plot figura e imagjinatë dhe, kur i lexoje, ndjeje një pikëllim të lehtë në shpirt. Sikur të ishin parandjenja të zymtësive që do ta mbulonin qiellin rreshpjan me zogj shiu, zogj pa fole e që iknin të mardhur pa kahje.
Kur Tonin Shtjefni një mbrëmje i tha që të më uronte, se kisha botuar një tregim te “Zëri i Rinisë”, Fredi u kthye nga ne të dy e tha: “Ju shkruani për t’u dukur, për t’u thënë të tjerëve se diç jeni…” Ra heshtja, se nuk e prisnim këtë shpërthim të Fredit që, kur e ndjeu se e kishte shkelur disi, më pyeti me dashamirësi: “A e ke lexuar Ernest Koliqin?” I thashë që jo. Atëherë ngriti disi zërin, që ta dëgjonim të dy: “Kush nuk e ka lexuar Tregtar flamujsh, kot që shkruan tregime.” E tha prerë, pa kurrfarë hezitimi e kurrfarë droje. Si kaluan ca çaste, iu afrova e me zë të ulët i thashë se nuk kisha ku t’i gjeja tregimet e Koliqit. Ai më tha se e kishte atë libër e do t’ma jepte, por kur erdhi koha për t’u ndarë, aty nga ora dhjetë e natës, pranë shtëpisë së tij në “Gjuhadol”, më tha se nuk do t’ma jepte, se nuk e kishte, se… Edhe ndërhyrja e Toninit nuk bëri punë. Guaska, që fshihte margaritarin e shpirtit të tij papritur u mbyll. Seç ndjeu, seç mendoi, ndoshta se, të shpërndaje Koliqin në atë kohë, ishte rrezik – rrezik për atë që e jepte, por rrezik edhe për atë që e merrte. Me gjithë lutjen time se do ta lexoje tërë natën dhe të nesërmen në mëngjes (i kishim shtëpitë pranë) do t’ia sillja kur të shkoja në punë, nuk qe e mundur. Kështu që para vitit ’90-të nuk qe e mundur të lexoja asgjë nga prozatori ndër më të shquarit e letërsisë shqipe Ernest Koliqi.

Posi…. U ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Lojë e bukur, por s’të ka dalë… (Ernest Koliqi: “Tregtar Flamujsh”, 1935).