Kur dy avionë u përplasën mbi New York City

(Në fotografi, avioni i kompanisë ajrore United Airlines – Fluturimi 826 – i rrëzuar mbi Brooklyn, në kryqëzimin e Sterling Place dhe 7th Avenue – lagjia Park Slope – në dhjetor 1960.)

Thuhet se të gjithë banorët e Nju Jorkut e mbajnë mend se ku ishin kur morën vesh për tragjedinë e 11 Shtatorit. Për njujorkezët e vitit 1960, incidenti që do ta mbanin mend gjithmonë ishte ai i përplasjes në ajër i dy avionëve. Ngjarja ishte tronditëse dhe mesa duket rasti i parë që dy avionë përplasen mbi një qytet, në SHBA.

Ndodhi në 16 dhjetor 1960, në një mëngjes të karakterizuar nga dëbora e pastaj nga mjegulla e shiu. Avioni që u përplas me këtë në fotografi u rrëzua në Miller Field, në Staten Island. Në total, 128 vetë, udhëtarë dhe ekuipazh në të dy avionet humbën jetën. Përveç tyre u vranë edhe gjashtë vetë që patën fatin e keq t’u binin mbeturinat e avionëve nga sipër.

Një djalë 11-vjeçar, që udhëtonte me një nga avionët, ra nga një e çarë e krijuar pas përplasjes, mbi një pirg me borë dhe arriti të shpëtonte. U duk se kishte ndodhur një mrekulli, por për shkak të flakëve që kishin marrë rrobat pas përplasjes dhe plagët nga rënia, edhe ai vdiq një ditë më vonë. (Ruben Avxhiu)