Kur mblesërinë e bëjnë prindërit, a mund të marrë vajza vizë fejese?

Çështje të Emigracionit: Për ju avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi

Sapo jam bërë nënshtetas amerikan. Në fshatin ku kam lindur është një vajzë dhe prindërit tanë po na nxisin që të martohemi. Kështu është tradita. Ajo është shumë më e re se unë, ndaj dhe nuk kam patur rastin ta njoh gjatë kohës që u rrita aty. Për breza me radhë, familjet tona kanë qenë fqinje dhe gjyshërit tanë kanë patur miqësi të ngushtë. Kam parë disa fotografi të sajat dhe më është dukur tërheqëse kështu që mendoj që shkojmë si çift. A mund ta di si është proçedura në këto raste?

B D

Boston, MA

Tradita shqiptare e martesave që rregullohen nga familja shpeshherë keqkuptohet nga zyrtarët e emigracionit dhe ata konsullorë. Ju dhe të fejuarës juaj do t’ju duhet të dëshmoni se keni qëllim serioz martese dhe që nuk po martoheni që vajza të marrë green card. Është e rëndësishme që e fejuara juaj t’i tregojë në mënyrë bindëse zyrtarit konsullor që ka ndërmend të martohet me vullnetin e saj të lirë, përndryshe viza e saj mund të refuzohet. Ambasada e SHBA-ve e di që bëhen shumë mashtrime martesore, prandaj çdo marrëdhënie shqyrtohet me kujdes. Nuk është e nevojshme të dëshmoni se keni qenë të dashuruar me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë, por duhet të tregoni se keni vërtet ndërmend të martoheni. Është e rëndësishme që ju dhe e fejuara juaj të takoheni personalisht pavarësisht se kanë qenë familjet tuaja që e rregulluan lidhjen tuaj.

Nëse jeni nënshtetas i Shteteve të Bashkuara dhe po planifikoni të martoheni në SHBA, duhet t’i paraqisni një kërkesë Shërbimit të Emigracionit dhe Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) në emër të vajzës. Ky aplikim  quhet Petition for Alien Fiancé (USCIS Form 1-129F). Vetëm një qytetar amerikan mund të paraqesë këtë formular për të fejuarën e tij.

Që të kualifikoheni për të bërë kërkesë përmes formularit I-129F, duhet që të martoheni me të fejuarën brenda 90 ditëve nga hyrja e saj në SHBA. Gjithashtu duhet të dëshmoni se të dy ju jeni të lirë të martoheni dhe se jeni takuar personalisht brenda dy vjetëve nga paraqitja e formularit I-129F. Nëse nuk jeni takuar brenda dy viteve të fundit, duhet të jepni një shpjegim të hollësishëm si dhe dëshmi të vështirësive ekstreme ose praktikave zakonore, kulturore ose sociale që u bënë pengesë për takimin.

Nëse e fejuara juaj, ka fëmijë të pamartuar që janë nën moshën 21 vjeç, ata mund të përfshihen në formularin I-129F si dhe të kualifikohen për ta shoqëruar atë në SHBA. Duhet gjithashtu të paraqisni dëshmi se të dy ju e keni mbushur moshën ligjore për martesë në vendin ku keni në plan të martoheni. Nëse cilitdo prej jush i duhet të marrë pëlqim të veçantë (si pëlqimi i prindërve) për martesë, atëherë duhet të dorëzohet dhe dëshmia e pëlqimit ose lejes. Përveç kësaj, secili prej jush duhet të paraqesë një deklaratë origjinale dhe kopje të provave që vërtetojnë qëllimin tuaj të përbashkët.

Ju dhe e fejuara juaj duhet të dorëzoni të firmosur formularin G-325A (formulari i të dhënave biografike) si dhe fotografi të formatit për pasaportë të marrë brenda 30 ditëve nga dita e paraqitjes së aplikimit. Nëse ndonjëra palë ka qenë e martuar më parë, ajo duhet të paraqesë kopjet e dokumenteve që tregojnë se ajo martesë është zgjidhur me shkurorëzim. Përveç kësaj, nëse ndonjëra palë është dënuar për vepra të caktuara penale, ajo duhet të dorëzojë kopje të vërtetuara të të gjitha të dhënave të gjykatës dhe të policisë të cilat tregojnë akuzat dhe dispozitat për secilin nga dënimet. Kjo është e nevojshme edhe nëse çështjet janë vulosur. Nëse ndonjëra palë ka histori veprash penale, do t’ju sugjeroja fort që përpara dorëzimit  të formularit I-129F, të këshilloheni me një avokat me përvojë.

Kur aplikimi të miratohet, e fejuara  juaj duhet të shkojë në ambasadën e SHBA-së për të marrë vizën. Intervista në ambasadë fokusohet tek lidhja juaj dhe synimi i vajzës për t’u martuar me ju. Kjo është një intervistë e rëndësishme dhe është mirë të bisedoni me të fejuarën paraprakisht lidhur me të kaluarën tuaj, për t’u siguruar që ajo, përpara se të hyjë në intervistë, t’i ketë të qarta datat dhe të dhëna të tjera të rëndësishme të lidhjes suaj. Këtu futen dita që u takuat për herë të parë; vendi ku takuat; personi ose personat që ju kanë prezantuar; vendet tuaja më të preferuara të takimeve, etj. Zyrtari konsullor mund të bëjë shumë pyetje, prandaj nevojitet një përgatitje e mirë. (Nëse ajo i thotë që kanë qenë prindërit e saj që e kanë bërë të martohet me ju, viza do t’i refuzohet. Kjo mund ta shtyjë zyrtarin konsullor të dyshojë që martesa është rregulluar për qëllim fitimi parash. Martesa duhet të jetë qëllim i vetë vajzën dhe i askujt tjetër).

Nëse aplikimi për vizë miratohet, të fejuarës suaj do t’i lejohet të hyjë në SHBA me vizë K-1. Martesa duhet të kryhet brenda 90 ditëve nga dita që ajo ka ardhur/hyrë në SHBA. Nëse martesa nuk ndodh brenda 90 ditëve, ose ajo martohet me dikë tjetër, asaj do t’i kërkohet të largohet nga SHBA-ja. Deri në momentin që bëhet martesa, USCIS-i e konsideron të fejuarën tuaj një jo-imigrante (dmth një vizitore të përkohshme që ka ardhur këtu për një qëllim të caktuar). Përveç kësaj, asaj nuk i lejohet të kërkojë një zgjatje të lejes së qëndrimit 90 ditor në SHBA. Gjithashtu, ajo nuk mund të hyjë më shumë se një herë me vizë K-1 në SHBA. Nëse largohet nga SHBA-ja përpara se të martoheni, asaj mund të mos i lejohet të kthehet në SHBA pa marrë ndonjë vizë tjetër. Një person me vizë K-1 është i autorizuar të punojë.

Pasi të martoheni, e fejuara juaj mund të aplikojë për të marrë green card gjithnjë nëse ajo ka ndërmend të jetojë dhe të punojë përgjithmonë në SHBA. Formulari që duhet të paraqesë quhet Application to Adjust Status (Formulari I-485). Nëse nuk ka ndërmend të qëndrojë përgjithnjë në SHBA, ajo duhet të largohet nga SHBA-ja brenda periudhës 90 ditore që përmendëm më lart.

Kur të aplikojë për green card, ajo mund të aplikojë gjithashtu për Re-entry permit (leje për t’u rifutur në SHBA) nëpërmjet paraqitjes së formularit përkatës I-131. Kështu, gjatë kohës që është në pritje që aplikimi I-485 që ka paraqitur të proçesohet, asaj do t’i lejohet të udhëtojë dhe të rihyjë në SHBA. Është e rëndësishme për të që të jetë e pranishme në SHBA për të dhënë shenjat e gishtërinjve si dhe për kontrollet e tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e saj. Ju dhe gruas juaj do t’ju kërkohet gjithashtu të bëni një intervistë.

Nëse miratohet kërkesa për green card, si fillim gruas suaj do t’i jepet statusi i rezidencës së përhershme me kusht, për një periudhë dyvjeçare. Ky status i jepet personave të cilët kanë qenë të martuar për më pak se dy vjet në kohën aprovimit të kërkesës për green card. Kërkesa për heqjen e statusit me kusht (Formulari I-751 i USCIS-it) duhet dorëzuar brenda 90 ditëve përpara dyvjetorit të mbarimit të statusit me kusht (green card-ës me kusht). Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dëshmi se martesa është e vlefshme, të tilla si prova bashkëpronësie, qira apartamenti në emër të të dyve, financa të perbashkëta, pagesa të përbashkëta të taksave, certifikata lindjeje të fëmijëve, deklarata nga persona të tjerë dhe ndonjë dokumentacion tjetër. Nëse burri dhe gruaja nuk janë në gjendje të paraqesin kërkesën së bashku për arsye të tilla si vdekja e njërit prej bashkëshortëve apo zgjidhja e martesës, ka procedura që i lejojnë bashkëshortit/es të aplikojë më vete. U bëjmë thirrje lexuesve tanë të flasin për këto çështje me një avokat me përvojë në fushën e emigracionit.

Urime për marrjen e nënshtetësisë amerikane. Mos harroni që gëzoni të drejtën e votës!

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është kieranboth@verizon.net

Comment

*