Kur mesjeta kishtare serbe projekohet si një Vatikan i ri

Emin AZEMI

Kisha Ortodokse Serbe ka qenë në shërbim të hegjemonisë serbe dhe ky rol po manifestohet sidomos muajve të fundit. Në dialogun Kosovë-Serbi, kisha serbe, përmes rrugëve dytësore, fatkeqësisht e ndihmuar edhe nga disa diplomatë perëndimorë, është përfshirë si palë që ka synim ridefinimin e politikave të Beogradit kundrejt Kosovës.

 

Festa e Vidovdanit, si gjithmonë, edhe sot do të shfrytëzohet nga propaganda Beogradit për të “dëshmuar” se Kosova është “djepi shpirtëror” i Serbisë. Edhe në të kaluarën, edhe sot, Serbia nuk e ka hallin tek dimensioni shpirtëror e human që transmetohet përmes fesë, por tek instrumentalizimi i fesë për politikën e saj ekspansioniste.

Kisha Ortodokse Serbe ka qenë në shërbim të hegjemonisë serbe dhe ky rol po manifestohet sidomos muajve të fundit. Në dialogun Kosovë-Serbi, kisha serbe, përmes rrugëve dytësore, fatkeqësisht e ndihmuar edhe nga disa diplomatë perëndimorë, është përfshirë si palë që ka synim ridefinimin e politikave të Beogradit kundrejt Kosovës.

Serbët e Kosovës sot në Graçanicë dhe në Gazimestan janë mbledhur qysh në orët e mëngjesit për të festuar Vidovanin, datë kjo e cila festohet në kujtim të Betejës së Kosovës.

Patriarku serb Porfirije, në liturgjinë e tij në Manastirin e Graçanicës, sot provoi edhe një herë të  integrojë fatalitetin serb në relievin e zhubravitur historik të mbushur me triumfalizma të sforcuar e krejt artificial. Në liturgji kanë qenë prezent edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nënkryetari Dalibor Jevtiq dhe zyrtarë të tjerë.

“Pikërisht këtu, nga kjo Graçanicë me diell, populli ynë mezi po e pret formimin e Asociacionit të Komunave serbe”, tha Petkoviq.

Vetëm serbët i kthejnë humbjet në festa. Edhe kremtimi i Vidovdanit ndërlidhet me përvjetorin e Betejës së Kosovës, që historiografia serbe e njeh si fitore shpirtërore të serbëve, pavarësisht humbjes së madhe të forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb, Llazarit.

Humbjet e serbëve gjatë historisë nuk kanë qenë kurrfarë pengese që ato të shndërrohen në lajtmotiv vrastar për popujt tjerë. Kështu ndodhi edhe me kremtimin e përvjetorit të 600-të Betejës së Kosovës, në vitin 1989, kur ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq, e reinkarnoi shovenizmin serb në politikat shtetërore hegjemoniste. Kulmi i këtij shovinizmi u arrit me rrënimin e autonomisë së Kosovës, që ishte prologu i një fushate të përgjakshme kundër popujve tjerë të ish-Jugosllavisë, në fillim të viteve 90-të.

Vidovdani mund të ketë një konotacion të posaçëm në atmosferën politike që po mundohet ta instalojë Beogradi, duke e përdorur si alibi gjoja rrezikimin e trashëgimisë fetare serbe në Dialogun e Brukselit.

Vuçiqi do të bëjë çmos që të aktrojë rolin e viktimës, sepse ai është i vetëdijshëm se vetëm petku i viktimës ia mbulon trupin e agresorit të pandëshkuar për krimet e bëra nga falangat vrastare serbe, pjesë e të cilave ishte edhe  ai.

Serbët janë aktorë të spovuar për të luajtur rolin e viktimës, paçka se fabula është e sajuar mbi gënjeshtra e mite të kalbura.

Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kishte lexuar këto kode mashtruese të serbëve, kurse krerët shtetërorë e politikës të Kosovës nuk do të duhej të lejonin të bien në grackat e Beogradit, duke u futur në labirinthet e një dialogu ku mesjeta kishtare serbe projekohet si një Vatikan i ri që duhet të instalohet në tokën e Kosovës.