Kur politika t’i shoshit 3 kriteret dhe vettingut që s’i ngelet gjë tjetër veç të bëjë llëk…llëk…

Elton Qyno

Këto ditë të nxehta gushti që ne gazetarët e Kronikës së Zezë prisnin valë “vullkanike” nga prokuroria e Posaçme SPAK, se me demek do kishte arrestime, po i kalojmë në plazhe dhe bujtina malore.

SPAK-u këto ditë i ka vënë kapakun. Dhe arrestimet e Gushtit qenkan lënë të bëhen në Shtator. Jallah, na u bë ky shtatori si ajo barsaleta që tregojnë nëpër burgje.

“…Kur do dal nga burgu…?- pyeti i dënuari drejtorin e burgut.

Drejtori ia ktheu: Nesër do dalësh ti…

Dhe vjen e nesërmja dhe i dënuari i thotë sërish drejtorit të burgut, “…erdhi e sotmja, duhet të më lirosh…se kështu më the dje, për nesër…”

Dhe që drejtori ia kthen: “…ore unë të kam thënë për nesër, jo për sot…Prit nesër ti…”

E kështu vazhdoi kjo punë nesër dhe asgjë. Edhe kjo puna e shtatorit, u bë me keq se kjo barsaleta që tregojnë nëpër burgje. Ore trimat që janë trima duken dhe në gusht, jo vetëm në shtator. Se ja iku dhe shtatori erdhi Tetori, po pastaj të presim prapë shtatorin tjetër. Se pastaj i bie të heqim Shtatorin si muaj fare.

Filloi shtatori qysh me epokën e Llallës dhe me sa kam kuptuar shtatori i artë do jetë ky i sivjetshmi, pikërisht vetëm për Adriatik Llallën dhe askënd tjetër. I cili nëse nuk ikën nga vendi ashtu si Afganët, ka rrezik të arrestohet ose në sallën e gjyqit ose në shtëpi apo rrugë. Shtator për tjetër kënd, veç Lallës në Shqipëri nuk besoj se ka. Për mua ishallah të mos i ndodhtë atij, nuk ja uroj askujt.

Por Gushti ishte i thatë dhe nga Vettingu, prodhoi vetëm dy lajme. Ku nga njëra anë KPA-ja shkarkoi ish-drejtuesin e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Nga ana tjetër i zbardhën vendimin e konfirmimit në detyrë, drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi.

Njëri me bindje të theksuara të PD, u shkarkua dhe doli përfundimisht nga sistemi i prokurorisë. Tjetri me bidje të theksuara të PS dhe familjarisht Rilindas i thekur, e mbledhës votash të mavjosura kaloi shëndoshë e mirë, duke vijuar të kapardiset në qytetet e Shqipërisë, i rrethuar me tre bodigardë.

Se kush do e kërcënojë e do ja bëjë të keqen këtij, se kam kuptuar asnjëherë. Ky një dosje vrasje që ka në Elbasan, është ajo e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të Qazim Sejdinit. Njeri i partisë ku aderon dhe Kreshniku. Madje dhe këtë dosje nuk e përfaqëson vetë në gjykatë, por ka lënë prokurorin, Gentian Abazaj, që të shkojë në gjyq se vetë nuk shkon.

Në fakt në të dyja rastet si tek Besimi dhe tek Kreshniku, politika dhe më konkretisht partia shtet, besoj se ka shoshitur të 3 kriteret e rivlerësimit të subjekteve. Ka shoshitur kriterin profesional, kriterin pasuror dhe kriterin moral. Politika nuk ka shkuar në sallë dhe s’ka hedhur firma nëpër letra, por ka pëshpëritur nëpër veshë, nëpër kafene nëpër zyra e korridore. Kësaj forme amerikanët i thonë “lobim” ndërsa ne i themi “ushtrim i ndikimit”.Madje e kemi dhe vepër penale dhe e dënojmë me burg.

Mirëpo njëri, Besimi është armik i partisë dhe qëndroi si qëndroi këtë kohë në detyrë. Pasi Besimi qëlloi shpesh herë me gurë tjegullat e çatisë së rilindjes, dhe duhet të ikte me çdo kusht e çdo lloj diskreditimi. Dhe në fakt ashtu ndodhi. E flakën në rrugë.

Se s’mund ta flaknin qysh në fillim në seancën e KPK-së, se ishte pikërisht dhe koha që do interpretohej si një hakmarrje direkte e forcës politike ndaj një prokurori që i kishte hapur, jo pak probleme maxhorancës në pushtet. Do dukej qartasi se vettingu është vegël.

Ndërsa tjetri është Kreshniku i Partisë, që edhe pse ju konstatuan shkelje në pushimin e dosjeve dhe kishte raste flagrante me abuzime, deri në aksidente me vdekje të kryer në gjendje të dehur, sërish kaloi dhe tashmë po pret i qetë afatin për hyrje në fuqi të vendimit të formës së prerë.

Pasi me sa duket dhe Komisioneri Publik, ky “tigër” i mbrojtjes së interesit publik në Vetting, nuk ja ka ngenë të ulet dhe të shkruajë, apelimin e vendimin që konfirmon në detyrë Drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit. Drejtuesi është drejtues, e s’duhet të preket se kot nuk shkoi “Jovan Bregu” i KLP-së në Elbasan dhe i prezantoi mandatin 3 vjeçar.

Në të dyja rastet politika ka shoshitur 3 kriteret, duke i bërë ashtu siç i ka interesuar. Ndërsa anëtarëve të vettingut si shpesh herë nuk i ka ngelur gjë tjetër, veçse të mbyllin sytë dhe të fillojë të bëjnë llëk…llëk… llëk… llëk….

Megjithatë Kreshniku i Partisë, është çuar nga KPK për ndjekje disiplinore në Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, për një rast të mbylljes së një çështje penale. Kjo është një çukitje për të, pasi kjo dosje bën fjalë për pushimin e ndjekjes penale të procedimit penal Nr. 292 të datës 5 shkurt 2015, që lidhet me veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve” kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrimit”, ku persona nën hetim, kanë qenë shtetasit Kujtim Kaca dhe Ismail Leka.

Kjo çështje është mbyllur nga Kreshniku i Partisë në datën 27 tetor 2015, ndërsa të presim në ditët në vijim, se si do të mbyllet sërish në një datë tjetër, nga Inspektorët e ILD-së.

Por kjo dosje që ka pushuar Kreshniku, ka lindur një dosje tjetër. Pasi Kreshnikut i ka shkuar dikush në zyrë dhe i ka thënë na mbyll çështjen se kemi dhënë 2 mijë euro për ty. Dhe letrat janë të shkruara dhe aktualisht ndodhen në prokurorinë e Kavajës.

Dhe ky dikushi quhet Besnik Leka, djali i shtetasit Ismail Leka, që ndërtonte një HEC në Elbasan dhe që ishte në hetim nga prokuror Kreshniku.

Në dosjen hetimore thuhet se në 25 Mars 2019 Besnik Leka, ndodhej në Tiranë,pikërisht në zonën e “Brrakës”, pranë prokurorisë së Tiranës. Me anën e numrit telefonik 0672007715, ka telefonuar prokurorin Kreshnik Ajazi, i cili në këtë periudhë ishte komanduar nga Elbasani në prokurorinë e Tiranës.

Besniku, djali Ismailit, i ka thënë se ndodhej në Tiranë dhe donte me patjetër që ta takonte pasi kishte diçka për të diskutuar me të.

Kreshniku ka dhënë “ok” për tu takuar me Besnikun në zyrë. Dhe Besniku ka shkuar tek “Baçi”, pritësi i prokurorisë dhe më pas e ka çuar lart tek Kreshniku. Besniku sapo shkon në katin e 4 të prokurorisë, fillon e hapet para Kreshnikut të Partisë.

“…Jam djali i Ismail Lekës…”, për të cilin Kreshniku kishte një procedim penal, kur ushtronte funksionin e prokurorit në prokurorinë e Elbasanit. Besniku, djali i Ismail Lekës, i ka kërkuar Kreshnikut llogari se pse nuk kishte mbyllur hetimet, pasi e kishin respektuar duke i dhënë 2 mijë euro.

Kreshniku ka mbetur dhe ka humbur toruan. Ndërsa në mbrëmje vonë ka shkuar në polici dhe ka depozituar një kallëzim penal për Besnik Lekën, duke e akuzuar për “Mashtrim”. Besniku e akuzon Kreshnikun për “korrupsion”, ndërsa Kreshniku akuzën Besnikun për “Mashtrim”. Ec e gjejë, ç’vete. Shpresoja ta gjente “Vettingu” se ata të thajnë në hetime. Po ëhëëë, nuk morën asgjë parasysh, vijojnë me Llëk…llëk….

Vetë djali i Ismail Lekës, Besniku gjatë marrjes në pyetje për të sqaruar rrethanat e takimit me Kreshnikun në zyrë dhe bisedën mes tyre, ka deklaruar në prokurori se për të përshpejtuar hetimin në ngarkim të babait të tij, vëllai i tij Gëzim Leka, kishte dhënë shumë 2 mijë euro një mikut të tyre me emrin “Reli”.

Hetimet për këtë rast mashtrimi-mitmarje janë kryer jo në Tiranë por në Durrës dhe që prej datës 31 janar 2021, aktet hetimore i kanë kaluar për koopetencë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Kavajës. E qan Durimi, këtu po hë.

Ndërsa një tjetër rast ku Kreshniku e kalon dhe “Vettingu” e ngel është ai Petrit Aliaj, ish-gjyqtarit të Apelit Vlorë, që dikur ka shërbyer dhe si avokat i vëllezërve Balili në Sarandë.

Sipas vendimit të KPK-së që konfirmon në detyrë prokuror Kreshnikun,kallëzimi penal ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj është bërë nga ILDKPKI në qershor 2016, për veprat penale të fshehjes së pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Pas regjistrimit të procedimit penal, prokurori Ajazi ka urdhëruar OPGJ-në për ndërmarrjen e disa veprimeve hetimore deri me 30 korrik 2015.

Këto veprime hetimore përfshinin marrjen e informacioneve mbi pasurinë e të dyshuarit nga zyra e Kadastrës, e institucioneve të tjera shtetërore.

Një akt-ekpsertimi teknik të banesës së gjyqtarit si dhe kryerjen e një akt-ekspertimi kontabël, në të cilin eksperti ka arritur në përfundimin se pasuria e krijuar nga ky shtetas dhe shpenzimet e kryera janë të justifikuara me burimin e të ardhurave.

Më 18 janar 2016, prokurori Kreshnik Ajazi ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj me arsyetimin se faktet objekt hetimi “nuk përbëjnë vepër penale.”

Mirëpo ndryshe nga sa ka rezultuar nga hetimet e prokurorit Ajazi në vitin 2016, katër vjet më vonë një tjetër trupë e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe ekspert tjetër kontabël do të gjente se gjyqtari Aliaj, kishte mungesë burimesh financiare në vlerë 19.4 milionë lekë për pasurinë e deklaruar.

Tani dy institucione që hetojnë një person dhe prokurori Ajazi së bashku me ekspertin e tij të dosjes dalin pro Petrit Aliaj. Ndërsa Vettingu me ekspertin e tij, dalin kundër gjyqtarit Aliaj.

S’di Petriti i shkretë se kë të besojë më pare, se cili nga këta të dy ka të drejtë për fatin e tij, Kreshniku apo “Vettingu”.