Kur vjen 11 shtatori në New York

Ndjesi të veçanta për dy dekada në perkujtim të tragjedisë së 11 shtatorit, për të cilën po sjellë vetëm një fragment nga një orë mësimi në New York

Nga Keze Kozeta Zylo

Në çdo 11 Shtator Amerika përkujton me dhimbje tragjedinë më tronditëse që ndodhi në zemër të botës, në Manhattan, të shkaktuar nga terroristët botërorë.

Këtë vit është 20 vjetori, ku katër avionë u rrëmbyen nga grupi radikal islamik Al Kaeda dhe shkrumbuan dy kullat binjake qendrat më të mëdha tregëtare botërore. 3,000 njerëz u dogjën, vdiqën atë ditë, midis tyre më shumë se 400 punonjës të urgjencës.

Në të githa shkollat amerikane, studentët nderojnë me një minutë heshtje mijëra amerikanë, që humbën jetën tragjikisht, më 11 shtator, 2001.

Kur drejtori i shkollës lajmëroi studentët me qendër zëri të mbanin një minutë heshtje për viktimat, të gjithë ulën kokat në shenjë nderimi dhe respekti për viktimat dhe familjet e tyre. 

Një ditë më parë në orën e sociologjisë mësuesja e lëndës i këshilloi studentët se si mbahet një minutë heshtje.  Ajo i sqaroi ata se ne jemi në shkollë publike amerikane dhe secili do t’i nderojë viktimat në mënyren e vet, ja psh vazhdoi ajo: “Ju mund te luteni, si kristian, katolik, ortodoks, mysliman, hebre, ose siç e mendoni mënyrën për t’u lidhur me ta, me shpirtrat e tyre…mjafton të jemi së bashku në lutje.

E ndërsa nderoja dhe unë së bashku me klasën përkujtoja dhe bëja homazhe në mënyren time për viktimat e 11 Shtatorit, ndërkohe nuk kishja se si të mos emocionohesha së tepërmi, për mundësinë që njerëzit gjejnë mënyrat dhe format për t’u bashkuar në hidhërime dhe gëzime, pavarësisht nga besimet, ngjyrat, postet, kombet… Bota e qytetëruar i ndjen plagët ende të familjarëve sepse ajo di që të shikojë me sytë e paqes përtej flakëve përpirëse të 11 shtatorit dhe zemra iu rreh fort si dallgët e detit që përplasen ndër shkëmbinjtë, kur dëgjon emrat e tyre një për një.  Mirëpo kjo ndodh vetëm në vendet më demokratike të botës, në vendet që zbatojnë një kushtetutë të ndërtuar me shekuj, e në këtë rast është pikërisht Amerika, ku ka pranuar në zemrën e saj, miliona njerëz nga e gjithë bota, e ndërmjet tyre qysh dy shekuj më pare dhe nga Shqipëria jonë!

Gjëja që do më ngelet më shumë në kujtesë në këtë orë përkujtimore ishin disa thënie të përgatitura nga nxënësit marrë nga autori Grenville Kleiser (1868-1953).  Grenville Kleiser është një autor i Amerikës së Veriut. Ai ka lënë një sërë librash frymëzues, udhërrëfyes dhe ka punuar si professor për fjalimet publike në “Yale” Universitet. 

Kur studentja e talentuar Teresa lexonte thëniet e tij, si psh: “Në qoftë se unë bëj gjëra të mira sot, dhe ju shërbej në jetë, apo ju ndihmoj, më tregoni se si do t’i realizoni keto?

Fjalia e fundit “Më tregoni se si do t’i realizoni këto? shoqërohej si refren nga e gjithë klasa.

Thënien e dytë e lexoi vajza me origjinë familjare nga Jordania me emrin Alla si: “Në qofte se unë sjell në rrugë të drejtë një njeri që ka gabuar dhe e ndihmoj atë të hyjë në rrugë të mbarë”?

Klasa vazhdoi refrenin: Më tregoni se si do t’i realizoni këto?

Studenti i tretë me emrin Christofer lexoi: “Nëse unë mund të ndihmoj njerëzit me derpresion dhe të përhapë më shumë lumturi”? Klasa si në kor këndonte refrenin: “Më tregoni se si do t’i realizoni këto”?  

Thënien e katërt dhe të fundit e lexoi Muhameti, një djalë zeshkan, i qetë, simpatik.

Ai vazhdoi: “Në qofte se unë ushqej një zemër të uritur dhe lajmëroj për një fillim të mire”? Klasa vazhdonte refrenin pas thënieve brilante, me qëllimin për t’i diskutuar më vonë së bashku se si gjenden mënyrat dhe format për të realizuar gjëra me vlerë në jetë, gjëra që t’i shërbejnë njerëzimit.

Pasi u mbaruan këto thënie së lexuari që të mbushnin shpirtin me jetë, mendoja se bota do të ishte shumë herë më ndryshe, dhe refreni i përsëritur nuk do të kishte nevojë për të treguar rrugën, pasi atë duhet ta shihnim konkretisht në jetë dhe në botën që na rrethon.

Studentët u larguan nga klasa të frymëzuar pozitivisht, me emocione të marra nga një shkrimtar, që ngeli i pavdekshëm me thëniet, inspirimin dhe mesazhin e Paqes.

Sidoqoftë njerëzit, kanë të gjitha mundësitë për t’i treguar njeri-tjetrit dashurinë, fisnikërinë dhe vëllazërinë, që tragjedia e 11 Shtatorit mos të përsëritet më!

Amen!

New York,

11 Shtator, 2021