Kurti: “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga lindja

Prishtinë, 1gusht 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën se nisma “Ballkani i Hapur” ngjan më shumë në një Ballkan të hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Rusia dhe nga Kina, se sa një nismë për treg të përbashkët të vendeve të rajonit.

Gjatë vizitës në Panairin e Librit të Vjetër, në Prishtinë, Kurti tha se kjo nismë, ku bëjnë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, duhet të shoqërohet edhe me ballafaqimin e Serbisë, dhe të presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, me të kaluarën.

“Nuk mund të them se jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’, pasi , duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse, por edhe nga Kina si dhe Ballkan i hapur për autokracinë, për korrupsionin, për kriminelët e luftës të cilët, siç e dimë të gjithë ne, vazhdojnë të jenë masivisht, jo vetëm të lirë në Serbi, por edhe jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se problem kryesor në Ballkanin Perëndimor mbetet mos përballja e Serbisë me të kaluarën kriminale të saj.

“Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problem kryesor në Ballkanin Perëndimor është mos ballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Pra, tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin vendeve tona dhe me sundimin e ligjit, përndryshe, do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë se sa procese e struktura që ndryshojnë për të mirë jetën e qytetarëve”, tha ai.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut synojnë të heqin kontrollet në kufijtë e tyre për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave duke filluar nga 1 janari i vitit 2023, një nismë kjo që të enjten e ndryshoi zyrtarisht emrin në “Ballkani i hapur”.

Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë nismë duke nxitur kritika edhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Kryeministri Kurti tha se Kosova e Shqipëria do t’i kenë dhe duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira

“Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e republikave tona i kanë raportet tejet të afërta e vëllazërore ndërkaq prej politikanëve, qofshin ata edhe kryeministra si puna e zotit Rama apo si puna ime, ngelet vetëm ta përfaqësojmë këtë vullnet e këtë interes të qytetarëve”, tha ai.

Ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, që u paraqit në Novi Sad të Serbisë në tetor të vitit 2019, asnjëherë nuk ka siguruar mbështetje të rëndësishme në Kosovë, por as në Mal të Zi dhe në Bosnje, tri nga gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit që aspirojnë integrimet evropiane.

(Zëri i Amerikës)