Kurti: BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë

Lubjanë, 6 tetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfaqur shpresën se në samitin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor do të shprehet vendosmëria për shtrirje në Ballkanin Perëndimor.

“Ne shpresojmë se në këtë samit, Bashkimi Evropian do t’i qëndrojë besnik esencës së tij, zgjerimit. Si projekti politik më i rëndësishëm për paqe dhe prosperitet prej Luftës së Dytë Botërore, BE-ja duhet të zgjerohet për të qenë Evropë. BE-së i mungojnë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u bërë Evropë”, ka thënë Kurti, në prag të nisjes së samitit BE – Ballkani Perëndimir, në Bërdo të Sllovenisë.

Kurti ka shfaqur edhe shpresën se vendet e Ballkanit Perëndimor do të shtyjnë përpara procesin e liberaliziminit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka kujtuar se Komisioni Evropian kishte rekomenduar dy herë liberalizimin,  por kjo nuk ka ndodhur për shkak të rezervave që kanë disa vende të BE-së. Ai ka thënë se kjo është padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Ka pasur padrejtësi të madhe dhe mungesë të drejtësisë ndaj qytetarëve të shtetit tonë, që kanë vuajtur shumë”, ka theksuar ai.

Kurti ka shfaqur gjithashtu shpresën se vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës do t’u bashkohen shumë shpejt vendeve tjera që e njohin shtetin e Kosovës.

Ai ka mohuar kategorikisht që Kosova do të orientohet nga Kina dhe Rusia, në rast se mungon mbështetja e BE-së.

“Ne kurrë nuk kemi marrë as një vaksinë të vetme nga Federata Ruse apo Kina. Bashkimi Evropian është destinacioni ynë dhe Evropa është kontinenti ynë”, ka thënë Kurti.

Bashkë me Kurtin, në samitin BE- Ballkani Perëndimor në Bërdo, po marrin pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

(r.m.)