Liderët e opozitës mbështesin veprimet e qeverisë për sundimin e ligjit

Prishtinë, 26 shtator 2021 -Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar sot, më 26 shtator, me liderët e dy partive më të mëdha opozitare në Kuvend.

Ai i ka pritur në zyrën e tij kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Zyra e Kryeministrit njofton se Kurti diskutuar me liderët e opozitës për  situatën e sigurisë në Kosovë, në veçanti për situatën në pjesën veriore të vendit.

“U bisedua për situatën dhe zhvillimet në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, si dhe u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas njoftimit,liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku, kanë shprehur mbështetjen për përpjekjet e institucioneve shtetëore për sundimin e ligjit në mbarë territorin e Kosovës dhe për mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit të shtetit.

Krasniqi dhe Abdixhiku kanë shprehur mbështetje për Policinë e Kosovës dhe për institucionet tjera shtetërore të Kosovës.

Ata e kanë shprehur këtë mbështetje edhe të shtunën, duke theksuar se mbrojtja e sovranitetit dhe kushtetutshmërisë është detyrë nacionale.

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për Qeverinë dhe institucionet e sigurisë për ruajtjen e rendit e ligjit në pjesën veriore të Kosovës. (r.m.)