Kurti diskuton me ambasadat e QUINT-it për mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 15 mars 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të martën, 15 mars, se është në kontakt me ambasadat e QUINT-it dhe të Bashkimit Evropian që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë më 3 prill.

Vendet e QINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Italia dhe Gjermania.

Kurti ka thënë se Qeveria synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

“Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetushmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit – e 15 janarit – neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, ka thënë Kurti.

Më 15 janar, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve në Kosovë për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

Vendet e Kuintit dhe BE e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës për këtë referendum.

Rezolutat e miratuara nga Kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Më 14 mars, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Kosova do ta shqyrtojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, nëse Beogradi zyrtar i dërgon kërkesë Qeverisë së Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë obligimet që ka marrë nga rezoluta e 15 janarit.

Javën e kaluar, gjatë vizitës në Kosovë, ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbock, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë mënyra që të mbahen zgjedhjet.

Zgjedhjet e fundit parlamentare që Serbia i ka organizuar edhe në Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020, ndërsa procesin e votimit dhe grumbullimit të votave e ka udhëhequr misioni i OSBE-së në Kosovë.

OSBE-ja i ka grumbulluar votat pas mbylljes së qendrave të votimit në Kosovë dhe i ka dërguar për numërim në Rashkë dhe Vranjë, në Serbi.

OSBE-ja ka thënë se janë të gatshëm që edhe në zgjedhjet e 3 prillit të bëjnë grumbullimin e votave dhe dërgimin e tyre nëSerbi, nëse për këtë marrin pëlqimin e institucioneve përkatëse.

(REL)

Comment

*