Kurti e Borrelli përplasen për Asociacionin

Bruksel, 7 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Joseph Borrell, janë përplasur të martën, më 7 dhjetor, në Bruksel, lidhur me çështjen e Marrëveshjes për Asociacionin e komunave mes humicë serbe në Kosovë.

Kryeministri Kurti, në konferencën e përbashkët për medie, ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin nuk është në interes të serbëve të Kosovës, por është  servis i Beogradit zyrtar. Ai ka thënë se Beogradi nuk i ka implementuar dy të tretat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, ndërsa insiston të zbatohet Marrëveshja për Asociacionin, për arsye krejtësisht politike.

“Janë 33 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Dy të tretat e tyre s’janë implementuar nga Serbia, ndërsa Beogradi zyrtar gjithmonë e përmend një marrëveshje që, më duhet ta them, s’e ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Më kujtohet, më 2015, kur ndaj vendimit të saj (Gjykatës Kushtetuese) nuk protestoi asnjë serb i Kosovës, por vetëm Beogradi. Besoj se është koha që të ketë dialog ku populli, qytetarët, janë përfituesit dhe jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut, që njerëzit të fitojnë. E ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015, serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtueses, por ishte Beogradi që po vajtonte”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se dialogu duhet të sjellë të mira për qytetarët dhe jo t’u shërbejë politikanëve të caktuar.

“Të gjitha zgjidhjet që vijnë nga lart për të kënaqur politikanë të caktuara nuk janë demokratike. Unë jam democrat, prandaj besoj që kapitujt e ardhshëm të dialogut s’duhet të jenë aty për t’i kënaqur politikanët, për të shpëtuar lëkurën e dikujt apo fytyrën e dikujt, por për t’u shërbyer dhe ndihmuar njerëzve. Ne u shërbejmë njerëzve dhe kam frikë se ky Asociacion është më shumë servis i Beogradit se i qytetarëve të zakonshëm serbë në Kosovë, të cilëve unë u shërbej, si kryeministër i Republikës”, ka theksuar Kurti.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, e ka kritikuar këtë qasje të Kurtit. Ai ka thënë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të implementohet, sepse për këtë janë zotuar të dyja palët.

“Jam demokrat edhe unë dhe nuk jam këtu t’i shërbej ndonjë politikani, të asnjërës palë. Ashtu siç është thënë deri tash, dialogu është mënyra e vetme për të adresuar dhe për të zgjidhur çështjet e hapura. Dua që ta merrni parasysh plotësisht rëndësinë e dialogut dhe t’i kapërceni vështirësitë për integrim të plotë të Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare. Nuk pajtohem kur thoni që Gjykata Kushtetuese e bën të pamundur implementimin e kësaj marrëveshje (Marrëveshjes për Asociacionin). Ajo është arritur nga përfaqësuesit e të dy palëve, në mirëbesim dhe në pajtim me normat ndërkombëtare, për arritje të marrëveshjes kornizë në kuadër të dialogut. Më vjen keq, kryeministër, por më duhet të kërkoj implementimin e kësaj marrëveshjeje. E di se ka edhe marrëveshje të tjera që nuk janë zbatuar. Ka marrëveshje që nuk janë zbatuar nga të dyja palët. Por kjo (Marrëveshja për Asociacionin) është shumë e rëndësishme”, ka thënë Borrell.

Kurti e Borrell janë takuar në Bruksel para takimit të katërt të Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ky këshill analizon zbatimin e kësaj marrëveshjeje nga të dyja palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës e Bashkimit Evropian, e cila kapër qëllim forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës në Kosovë, ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

(r.m.)