Kurti e quan “të padrejtë, të gabuar dhe shumë naive” deklaratën e Blinkenit

Prishtinë, 30 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur “të padrejtë, të gabuar dhe shumë naive” deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”, ka shtuar ai.

Kurti ka treguar se, pas deklaratës së sekretarit Blinken, ka folur me telefon me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka kërkuar që kryetarët e komunave veriore të punojnë në objekte të tjera apo edhe të punojnë prej shtëpisë, kërkesë kjo që ai e ka refuzuar.

“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom (platformë e bisedave online). Ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, është shprehur ai.

Kryeministri i Kosovës ka pranuar se situata në pjesën veriore të Kosovës ka qenë shumë e rëndë ditën e hënë.

“Jemi me fat që nuk është humbur asnjë jetë”, ka thënë ai duke folur për sulmet e protestuesve serbë në Zveçan ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Ai ka thënë se përgjegjëse për dhunën në veri janë, siç është shprehur, “banda fashiste”, të udhëhequra nga Qeveria e Serbisë.

(r.m.)