Kurti: Hekurudha Durrës – Prishtinë është ndër projektet më të rëndësishme për kombin

Prishtinë, 20 qershor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar mbi të gjitha marrëveshjen për studimin e fizibilitetit të projektit pë ndërtimin e hekurudhës Durrës – Prishtinë, e cila  u nënshkrua të hënën, në Prishtinë, në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë u nënshkruan 19 marrëveshje bashkëpunimi që kanë pë qëllim bashkimin e fuqive për zhvillimin e përgjithshëm të të dy shteteve.   

“… në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore”, ka treguar Kurti në Facebook.

Marrëvesha për hekurudhën u nënshkrua nga ministri i Infrastrukturës në Kosovë, liburn Aliu, dhe ministrja e Infrastrukturës në Shqipëri, Belinda Balluku.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbledhjen e tetë të përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë e mbajtëm në Prishtinë.

Aq sa na bashkon historia, gjuha e kombi, aq duhet të na lidhë bashkëpunimi institucional në çdo fushë. Bashkëpunim ky që lehtëson dhe përmirëson jetën e qytetarëve tanë dhe që rritë besimin social ndërmjet qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Me këtë qëllim, në mbledhjen e sotme nënshkruam marrëveshje ndërqeveritare për arsim, drejtësi, mbrojtje, shëndetësi, energji, bujqësi, dogana, sigurime shoqërore, turizëm, rini, gjendje civile, lëvizje të lirë, transport e infrastrukturë rrugore.

Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do t’i bashkojë edhe më fortë ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet republikave tona.

Teksa qëndrojmë të përbashkuar, me marrëveshjet bilaterale që nënshkruajmë, ruajmë e avancojmë marrëdhëniet tona të afërta.

(r.m.)

Comment

*