Kurti: “Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata”

Prishtinë, 28 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se grupet kriminale serbe, me mbështetjen e Presidentit dhe të Qeverisë së Serbisë, po i sfidojnë institucionet e Kosovës dhe organet e rendit e ligjit në pjesën veriore të vendit.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, të mërkurën, Kurti ka theksuar se institucionet shtetërore të Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelët, por do t’i arrestojnë ata.

“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët, duke e sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht këta kriminelë, të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania, po mbështeten nga Presidenti dhe nga Qeveria e Serbisë, me qëllim të destabilizimit të rajonit përveç cenimit të integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë ai.

Kurti ka ritheksuar se bllokimi i qarkullimit të lirë është i papranueshëm dhe kjo gjë nuk do të tolerohet. Ai ka thënë se KFOR-it i është dhënë koha e nevojshme për të vepruar dhe ka shtuar se kjo kohë nuk mund të zgjasë pa kufi.

“Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me KFOR-in, të cilit i është dhënë koha dhe hapësira e nevojshme. Por, duhet të kuptohet se nuk mund të qëndrojnë edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, ka thënë Kurti.

Autoritetet e Kosovës thonë se barrikadat në pjesën veriore të Kosovës janë vendosur nga grupet kriminale serbe që nxiten dhe mbështeten nga beogradi zyrtar.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia do t’I mbrojë serbët në Kosovë, siç ka thënë, “nga terrori” i Qeverisë së Kosovës. Ai e ka kushtëzuar heqjen e barrikadave me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Beogradi synon që ky asociacion të ketë fuqi ekzekutive, gjë që kundërshtohet kategorikisht nga Prishtina. Si pushteti ashtu edhe opozita në Kosovë, janë kundër çfarëdo organizimi shtetëror e politik që cenon tërësinë territorial dhe karakterin unitar të shtetit të Kosovës.

(r.m.)