Kurti: Kërkesat e BE-së do t’i trajtojmë me seriozitet

Prishtinë, 21 maj 2021 – Sot është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Ministror për Integrim Evropian të Qeverisë së Kosovës, i cili është themeluar këto ditë, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve për avancimin e procesit të integrimit të Kosovës në struktutrat e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e kryesoi këtë mbledhje, ka thënë se krijimi i këtij trupi dëshmon se Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian (BE).

“Ne e kemi themeluar këtë këshill si strukturë koordinuese që do të shërbejë si forum për reforma ndërinstitucionale”, është shprehur ai.

Kurti ka theksuar se qeveria që e drejton se do t’i trajtojë me seriozitet të gjitha kërkesat që vijnë nga BE.

“Sot do të shqyrtojmë proceset në kuadër të integrimit evropian. Unë pres që kërkesat që dalin nga BE-ja për vendin tonë të trajtohen me seriozitet. Ne aspirojmë për të qenë shtet i zhvilluar dhe standardet e BE-së duhet të jenë udhërrëfyese. Ne nuk duhet ta shohim nga distanca integrimin evropian. Përkundrazi, duhet ta shohim si mundësi për t’u zhvilluar. Neve na takon t’i bëjmë reformat e nevojshme”, ka thënë Kurti.

“Përmbushja e shumë kritereve nga Bashkimi Evropian varet nga vullneti dhe përkushtimi ynë”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Kurti ka thënë se nga ministrat do të kërkohet përgjegjësi për reformat konkrete.

(r.m.)