Kurti kërkon ndihmën e SHBA-së që Kosova të bëhet pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s

Nju Jork, 22 maj 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të bëhet pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhet anëtare e Aleancës.

“Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e ShBA-ve për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s”, ka thënë Kurti në fjalën e tij në World Affairs Forum, në Nju Jork.

Si njofton kabineti i tij, Kurti ka folur edhe për qeverisjen dhe zhvillimin ekonomik e social në Kosovë. Ai ka thënë se Kosova renditet e para në Ballkan për shkallën e sundimit të ligjit në Ballkan, , sipas World Justice Project, është ngritur për 17 vende në renditje sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ështëngritur për 17 vende sa i përket lirisë së mediave, sipas Reporterëve pa Kufij.

Kurti ka paraqitur indikatorët e zhvillimit ekonomik të Kosovës, duke theksuar shkallën e rritjes ekonomike dhe përpjekjet për përmirësimin e mëtejmë të klimës për biznes dhe për investime. Po ashtu, ka folur për potencialin që ka Kosova në fushën e teknologjisë së informacionit. Ai ka thënë se gjatë vizitës në Silicon Valley ka takuar shumë ndërmarrës, të cilëve u ka shpjeguar se Kosova është vend i përshtatshëm për investime.

Duke folur për tranzicionin energjetik dhe për zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë, kryeministri Kurti ka afirmuar kapacitetet për energji të ripërtëritshme, duke vënë në fokus energjinë diellore dhe të erës. Në këtë kontekst, ai i ka veçuar dy gjeneruesit e energjisë së ripërtëritshme të përuruar pakkohë më parë në Kosovë: parkun e erës “Selac Windpark”, me 27 turbina me kapacitet prej 105 MW, dhe projektin për ndërtimin e gjeneruesit “Solar4Kosovo”, me kapacitet prej 70 MW, i cili do të jetë një nga centralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metrash katrorë.

Kurti ka folur edhe për negociatat që pozhvillon me MCC-në për projektin “Kompakt”, me vlerë prej 236 milionë dollarësh, projekt ky që përfshin ndërtimin e sistemeve akumuluese të energjisë.

Kryeministri Kurti ka ftuar biznesmenët amerikanë që të investojnë në Kosovë, për ndërmarrje fitimprurëse për ta dhe zhvillim edhe më të hovshëm socio-ekonomik për Republikën e Kosovës. Një fteseë të veçantë përinvestime e ka bërë për biznesmenët shqiptaro-amerikanë.

(r.m.)