Kurti kërkon sërish që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës

Vjenë, 18 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka bërë të ditur se të premten në Vjenë i ka përsëritur kërkesat që i ka bërë në takimin e tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, më 15 qershor.

Në samitin e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Vjenë, Kurti ka kërkuar sërish që Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës dhe që Kosova dhe Serbia të zbatojnë standard të njëjta për pakicat etnike.

“Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë gjithashtu se ka kërkuar liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe ka përsëritur propozimin që gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore).

“Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë.

“Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara”, ka thënë ai.

Kurti ka folur edhe për situatën pandemike në Kosovë. Ai ka thënë se Bashkimi Evropian do të duhej ta kishte përfshirë Kosovën në listën e shteteve të sigurta nga pandemia.

“Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendoste Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19”, ka thënë ai. 

Në samitin e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Vjenë kanë marrë pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës e Shqipërisë, Belinda Balluku, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës e  Hercegovinës, Zoran Tegeltija, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq.

Në samit ka marrë pjesë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi dhe çështjet e Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Postimi i plotë i Kurtit:

Nën organizimin e Kancelarit Austriak, z. Sebastian Kurz, sot u mbajt samiti i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për dallim nga 17 marsi i vitit të kaluar kur diskutuam virtualisht përmes platformës Zoom, kësaj radhe u mblodhëm fizikisht në Vjenë në Pallatin e Kancelarisë Federale.

Në fjalën time, përveç tjerash, theksova:

  1. Kosova po e menaxhon mirë e me sukses pandeminë Covid-19. Mesatarisht kemi më pak se një person të infektuar në ditë për 100 mijë banorë dhe më pak se 10 raste aktive në 100 mijë banorë. Bashkimi Evropian do të duhej ta vendos Kosovën në mesin e shteteve të udhëtimit të sigurt lidhur me pandeminë Covid-19.
  2. Kosova me qeverisjen e mirë dhe demokratike ka nisur reformat në drejtësi dhe ekonomi. Besimi qytetar në institucione është shumë i lartë. Krahasuar me vitin e kaluar eksportet i kemi rritur për 66%, aktivitetin ekonomik (qarkullimin) për 15%, kurse të hyrat buxhetore për 30%. Kemi nevojë për më shumë investime, dhe kompanitë austriake janë të mirëseardhura e të dëshiruara.
  3. Kosova dhe Serbia të bëjnë një deklaratë të përbashkët të paqes me zotim për mos-sulmim, Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ballafaqohet me të kaluarën, si dhe Kosova e Serbia të zbatojnë reciprocitetin sa i përket të drejtave të pakicave.
  4. Të hiqen vizat për Kosovën në mënyrë që qytetarët tanë të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, kurse gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga CEFTA në SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore) sipas shembullit të EFTA-EEA, pra siç e kanë Lihtenshtajni, Norvegjia e Islanda me BE-në.

(r.m.)