Kurti: Kontrabandën do ta luftojmë e parandalojmë

Prishtinë, 13 tetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se aksioni policor kundër kontrabandimit të mallrave, i cili u zhvillua në disa lokacione të Kosovës, përfshirë edhe disa sosh në pjesën veriore të vendit, ka për qëllim parandalimin e kontrabandës në Kosovë.

“Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, shkruan Kurti, në një postim në Facebook.

“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”, thekson ai.

Kurti u bën thirrje qytetarëve që “të mos “bien pre” e raportimeve të disa mediave në Serbi që, sipas tij, “duan ta politizojnë dhe etnizojnë” këtë aksion.

Gjashtë pjesëtarë të policisë së Kosovës dhe një pjesëtar i komunitetit serb janë plagosur të mërkurën gjatë një përplasjeje mes policisë dhe grupeve të protestuesve serbë në veriun e Kosovës, që kundërshtuan një operacion në shkallë të gjerë të policisë për sekuestrimin e mallrave të kontrabanduara.

Postimi i plotë i Kurtit:

Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.

(r.m.)