Kurti: Kosova është shtet shumëetnik, s’mund të ketë asociacion njëetnik

Prishtinë, 1 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur të mërkurën se formimi i një asociacioni njëetnik, sepse Kosova është shtet shumëetnik.

“E kemi thënë qëndrimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacion njëetnik në Kosovën shumëetnike me Kushtetutë s’është i mundshëm. Kur e kemi shpallur pavarësinë thoshin se edhe pse Kosova i ka 93 për qind shqiptarë, s’mund të cilësohet shqiptare, por multietnike. Ama tash s’mund të bëhet një asociacion njëetnik. Ne e kemi Asociacionin e Komunave të Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se ai – si qytetar, si aktivist politik dhe si kryeministër – angazhohet për mbrojtjen dhe afirmimin e të gjitha të drejtave të pakicave në Kosovë, pa dallim. Ai ka theksuar se Kosova do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve serbë në Kosovë, por s’mund ta kompensojë Serbinë për luftën që e ka humbur.

“Kërkesat, nevojat e qytetarëve serbë dhe të çdo pakice do t’i plotësojmë, por s’mund ta kompensojmë Serbinë për luftën e humbur në pranverën e vitit 1999. Është ajo (Serbia) që duhet të na kompensojë për dëmet që na ka shkaktuar, edhe në njerëz edhe në të mira materiale’, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se është i hapur për diskutime mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Gjermania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka thënë se në nenet e propozimit të BE-së nënkuptohet edhe formimi i Asociacionit, por kjo çështje nuk është përfshoirë as në preambulë dhe as në nenet e para të propozimit.

“Le t’i hapim diskutimet në Bruksel në nivelin e lartë dhe të diskutojmë për të gjitha çështjet. Normalizimi i plotë është i domosdoshëm, por njohja reciproke në qendër. S’po them që vetëm njohja reciproke është marrëveshjde. Do të ketë edhe gjëra të tjera, por qendra e marrëveshjes është njohja reciproke. Për këtë më kanë votuar qytetarët. Kështu e thotë Kushtetuta. Kështu e do Republika dhe Demokracia. E dimë që Serbia do diçka tjetër, por unë jam këtu për t’u shërbyer qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Serbia synon të krijojë në Kosovë një entitet si Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë.

“E dimë që Bosnja e Hercegovina e ka brenda Republikën Serbe. Serbia e njeh atë ‘de jure’, por ‘de fakto’ e saboton për ditë. Edhe pse e ka pranuar pavarësinë (e Bosnjës e Hercegovinës) shikoni çfarë po i bën”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti ka theksuar se ai nuk do të cenojë interesat e shtetit të Kosovës.

“Le të diskutohet, le të dëgjohen të gjithë, por s’mund të kërkohet që kryeministri të bëjë shkelje të vullnetit të popullit e të interesave të shtetit”, ka theksuar Kurti.

(r.m.)