Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të finalizohet brenda mandatit të Bidenit

Bruksel,15 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohje të ndërsjellë dhe duhet të finalizohet sa më shpejt.

Kurti i bëri këto komente në Bruksel, pas takimit që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Unë theksova se në kuadër të mandatit të zotit (Josep) Borrell (shef i politikës së jashtme të BE-së) dhe në kuadër të mandatit të presidentit (amerikan, Joe) Biden, do të duhej të bëhej marrëveshja, mirëpo sa më herët që bëhet, aq më kollaj është. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë fillimin e mandatit edhe të Qeverisë sonë, edhe të presidentit Biden, në mënyrë që ta realizojmë këtë marrëveshje”, tha Kurti.

Ai po ashtu tha se arritja e marrëveshjes do të jetë e vështirë, por shtoi se nuk është pesimist se një gjë e tillë nuk mund të realizohet.

“Është e qartë, Kosova dhe Serbia nuk mund të integrohen në BE pa njohje të ndërsjellë dhe sa më parë që realizohet ajo, aq më mirë”, tha Kurti.

Në takimin e së martës në Bruksel, Vuçiq tha se me delegacionin e Kosovës nuk janë pajtuar “absolutisht për asgjë”.

Në këtë takim, Kurti tha se ka ngritur çështjen e të pagjeturve dhe shtoi se nuk ka parë gatishmëri nga pala serbe për këtë çështje.

“Nuk duket që ka gatishmëri (nga Serbia) për t’u marrë me njerëzit përgjegjës të asaj kohe, të cilët, fatkeqësisht, janë edhe në pozita shtetërore. Pra, nuk bëhet fjalë për njerëz që janë bërë deputetë me votat e qytetarëve, por për njerëz të emëruar nga pushteti i atjeshëm, në ato pozita që i kanë”, u shpreh Kurti.

Palët paralajmëruan se raundi i ri i bisedimeve do të mbahet në fund të muajit korrik.

(REL)

Comment

*