Kurti në Athinë: Njohja nga Greqia i kontribuon paqes në rajon

Athinë, 13 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia “do t’i kontribuonte paqes dhe sigurisë në rajon”.

Kurti i ka bërë komentet në Athinë, të martën, në një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

“Greqia dhe Kosova duhet t’i forcojnë marrëdhëniet bilaterale për shkak të lidhjeve të gjata historike dhe qëllimit të përbashkët për një të ardhme më të mirë në Ballkan”, citohet Kurti, në një komunikatë të lëshuar nga zyra e tij.

Kurti e ka vlerësuar edhe rëndësinë që ka përkrahja e shtetit grek për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kurtit, ministri jashtëm grek nuk ka folur për njohjen e Kosovës nga Greqia, por ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë e shtetit grek “për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomiko-tregtar dhe për investime të reja në Kosovë”.

Por, Dendias ka thënë se Greqia “vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave” për qytetarët e Kosovës dhe se do ta përkrahë dhe do ta ndihmojë Kosovën “në rrugën evropiane dhe euro-atlantike”.

Kryeministri Kurti po merr pjesë në edicionin e 23-të të “Symi Symposium” në Athinë, i cili po zhvillohet sipas Chatham House Rules.

Më 8 korrik, Kurti është takuar në Athinë edhe me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis. Edhe në atë takim, ai ka kërkuar që Greqia t’i bashkohet bllokut të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Greqia është një prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por kohët e fundit ka shprehur një qëndrim pozitiv ndaj statusit të Kosovës.

Mininistri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, pak ditë më parë, në një intevistë për “Realneës”, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë legjitime. Ai ka thënë se ky legjitimitet buron nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila ka gjetur se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte bërë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, më 2010, gjeti se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, pasi kjo nuk ishte produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës të dënuar nga Këshilli i Sigurimit”, ka thënë  Dendias.

Shefi i diplomacisë greke ka thënë gjithashtu se rasti i Kosovës është i pakrahasueshëm me rastin e Qipros. 

(r.m.)