Kurti në Bruksel, kërkon njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së

Bruksel, 18 maj 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

Pas darkës tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor të shtruar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell në Bruksel, Kurti ka thënë se njohja e Kosovës nga vendet që s’e kanë njohur do ta çojë vendin drejt integrimit evropian.

“Konfirmuam interesin dhe gatishmërinë tonë për të bërë progres drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë diskutuam me miqtë dhe kolegët tanë këtu në Bruksel si të na ndihmojnë të bëjmë reforma në vendet tona dhe nga ana tjetër të bindim pesë shtetet anëtare që nuk na njohin, ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Kurti ka përsëritur edhe një herë nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai ka theksuar se është i vetmi shtet në Evropë, rinia e së cilës është e izoluar.

“Republika e Kosovës është shtet me të rinj shumë të talentuar që e shohin BE-në si mundësi si për studime, ashtu edhe për punë këtu, e më pas të kthehen e të kontribuojnë në shtetin e tyre. Ne na duhet liberalizimi i vizave. Jemi shteti i vetëm në Evropë që nuk e ka liberalizimin e vizave. Kemi ende regjim të vizave, që është pengesa më e madhe për të rinjt e të rejat e talentuara në Kosovë për të studiuar dhe për të bërë biznes. Mosha mestare në Kosovë është 30 vjet dhe me një rini kaq të talentuar është aq çuarje dëm të kemi këtë mur të izolimit”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se është i interesuar të ketë më shumë investime për të punësuar më shumë të rinj të cilët, siç ka thënë ai, gjithnjë e më shumë “po shtyten të migrojnë”.

Kryeministri i Kosovës ka marrë pjesë në darkën tradicionale të liderëve të Ballkanit Perëndimor që shtrohet në Bruksel nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në këtë forum joformal kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, presidenti i Malit të Zi Millo Gjukanoviq dhe kryesuesi i radhës i presidencës trepalëshe të Bosnjes e Hercegovinës, Millorad Dodik.

(r.m.)

Comment

*